Kundërshtohet mbyllja totale e vendit, kundër edhe Gjilani

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pasur sot një mbledhje virtuale me kryetarët e komunave të Kosovës, por duket se plani për mbyllje totale, nuk ka marrë pëlqimin e tyre.

Kundër mbylljes totale te vendit, ishte edhe nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli.

“E kemi kundërshtuar edhe mbylljen totale. I kemi aprovuar disa masa, sic janë kontrollimi më i rreptë nëpër hyrje-dalje, por në asnjë mënyrë mbylljen e gastronomisë dhe bizneseve tjera sepse pandemia ka shkaktu dëme të mëdha. Ne ia sqaruam se nuk është mirë të mbyllen bizneset, ka thënë se me gastronomët është shikuar mundësia e subvencionimit, por në emër të gastronomëve kam thënë që s’jemi dakord me mbyllje”, ka deklaruar Ismajli.

Ai tha se ka shprehur shqetësimin për gjobat e shqiptuara nga Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ndaj bizneseve.

“Kemi shprehur edhe shqetësimin për gjobat që po shqiptohen janë të mëdha dhe të papërballueshme”, deklaroi Ismajli.

Ndërkaq, masat e propozuara deri më tani, janë mbyllja e lokaleve të gastronomisë, qendrave tregtare, palestrave dhe shkollat, ndërkaq është bërë e ditur se kjo mbyllje do të mbëhet nga data 6 deri më 18 prill.

Por, pas takimit të sotëm, ministri Vitia ka premtuar se do t`i marrë parasysh vërejtjet e Komunave.