Kur një revistë u shpall armike e regjimit – “Horizonti” dhe numri që u konfiskua në vitin 1999
Shkruan: Sabedin Sherifi
Shkurti i vitit 1999 ishte një nga periudhat më të errëta për Kosovën. Në kohën kur regjimi serb përpiqej të shuante çdo simbol të rezistencës shqiptare, edhe një revistë enigmatike u bë objekt i ndjekjes policore.
Numri 102 i revistës “Horizonti”, me në ballinë fotografinë e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u konsiderua nga autoritetet serbe si material “i papranueshëm”. Për pasojë, revista u konfiskua dhe përgjegjësit e saj u përballën me arrestime dhe presione.
Në pamje të parë ishte vetëm një revistë kushtuar enigmatikës, por për regjimin e kohës ajo përfaqësonte shumë më tepër: një dëshmi se fryma e lirisë kishte depërtuar edhe në kulturë, në fjalën e shkruar dhe në mendimin krijues.
Megjithëse numri u konfiskua dhe u tentua të zhdukej, mesazhi i tij nuk u shua. Krismat e armëve për liri vazhduan, rezistenca u forcua dhe vetëm pak muaj më vonë Kosova u çlirua.
Sot, kjo kopertinë nuk është thjesht një faqe reviste. Ajo është një dokument historik që dëshmon se në kohë lufte edhe një botim kulturor mund të shihej si kërcënim nga një regjim që kishte frikë nga e vërteta.
Revista “Horizonti”, e themeluar në Gjilan në vitin 1981, mbetet një prej botimeve më të rëndësishme të enigmatikës shqiptare dhe një pjesë e çmuar e kujtesës sonë kulturore e kombëtare.

