Ky është vendimi i Kryesisë së LDK’së për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka vendosur të qëndrojë në sallë për t’i bërë kuorumin e nevojshëm Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së kryesisë, shkruajnë mediat kosovare.

Gjatë ditës së sotme kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të takohet me grupin parlamentar ku do t’u bëhet i ditur qëndrimi i kryesisë së partisë.

Më herët, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë takuar krerët e subjekteve politike, AAK e PDK, të cilët tashmë kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin kandidaturën e zonjës Osmani.

Në pikëpyetje janë dhe 10 votat e listës serbe, pasi ata kane shprehur pakënaqësi me vetëm një post ministri që iu akordua nga Kurti.

Madje ata kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.