LDK: Qeveria komunale po mundohet t’i fshehë modhenat nën xhamin e tejdukshëm të tavolinës

Vendimi i fundit në Kuvend Komunal për anulimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) së komunës së Gjilanit, e ka një prapavijë të cilën kryetari aktual është munduar që ta fshehë. Por, a mundesh me i fshehë monedhat nën xhamin e tejdukshëm të tavolinës, ka thënë Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK.

Pas kërkesës dhe insistimit të qeverisjes komunale të udhëhequr nga z. Haziri, Qeveria e Kosovës  dhe kryeministri Haradinaj treguan mirëkuptim dhe na patën dhënë dhjetëra hektarë tokë për lokacionin e varrezave të qytetit të Gjilanit pasi që edhe ishim në fazën e hartimit të PZHK-së.

Komuna e Gjilanit me kohë i ndërmori të gjitha veprimet e nevojshme dhe bashkë me Qeverinë e Kosovës edhe e bënë transferin e tokës prej disa hektarësh nga pronësia e AKP-së në pronësi të Komunës së Gjilanit dhe atë për lokacionin e ri të varrezave të qytetit.

Në atë lokacion edhe është filluar me fazën e parë të përgatitja se stazave të varrezave.

Për çudi, para disa ditësh Qeveria Kurti e anulon vendimin e Qeverisjes Haradinaj dhe e merr  këtë sipërfaqe shumë hektarëshe nga pronësia e Komunës dhe e kthen te AKP, ani pse edhe kjo është e planifikuar me PZHK për lokacionin për varrezat e qytetit dhe e miratuar në Kuvend Komunal.

Në këtë situatë nuk ka se si të mos mendohet se vendimi i nxjerrë në Kuvend Komunal për anulimin e PZHK-së, i inicuar nga kryetari Hyseni, është bërë për të lehtësuar dhe sadopak për të arsyetuar vendimin e Kurtit për të marrë nga Komuna tokën e varrezave, thjeshtë duke thënë se Komuna e Gjilanit nuk ka PZHK, sepse toka e planifikuar me PZHK nuk mund të merret dhe paraqet shkelje.

Prandaj për të mbuluar një shkelje është bërë edhe një shkelje tjetër.

Tjetra, me PZHK është planifikuar në detaje dhe janë mbajtur edhe konsultime publike edhe për tokën ku do të ndërtohet selia e Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, të cilën kjo qeveri po tenton t’ia marr, duke shkaktuar mllef të jashtëzakonshëm tek imamët e besimtarët myslimanë. Nëse instistohet, do të bindeni që fundi nuk do të dal mirë…

Kjo Qeveri (edhe qendrore edhe komunale) edhe pse në kokë nuk është e treguar e fortë, bile këmbët i ka të forta, duke shkelë ligjet dhe Kushtetutën.

LDK e Gjilanit vazhdon të mbetet gardian i ruajtjes së Komunës e Republikës dhe sa herë që i shkelin ligjet pushtetarët aktualë, ne do të reagojmë, do të alarmojmë institucionet e pavarura dhe, të jeni të bindur, do të dalim fitimtarë.

Gjithmonë me popullin!