‘Livadhet e Priftit’, dëshmi se ky fshat i Gjilanit kishte dikur shtatë kisha
Izeir Hyda
(Toponimet më të vjetra për Livadhet e Pogragjës: Livadhet e Rrethit, Livadhet e Priftit dhe Livadhet e Grahecave).
Pogragja, fshat rrëzë Maleve të Karadakut, me bukuri të mëdha natyrore, shtrihet në anën e djathtë të lumit Morava, 13 km në Juglindje të Gjilanit.
Pogragja hyn në grupin e fshatrave të mëdha të Gjilanit si Zhegra, Cërnica, Bresalci, Përlepnica, Malisheva, Dobërçani… që krahasuar më këto fshatra ka një sipërfaqe më të vogël të tokave bujqësore, por ka më shumë sipërfaqe të livadheve e kullotave.
Deri në ditët tona janë ruajtur toponimet e livadheve si: Livadhi i Bekës, Livadhi i Hafizit, Livadhi i Rrethit, Livadhi i Durakit, Livadhet e Priftit, Livadhet te Skuta, Lluga Osmanit, Lluga Hydës, Livadhet n’Fundija
Livadhet n’Tamac dhe Livadhet e Grahecës.
Pogragja ka edhe sipërfaqe të mëdha të kullotave.
“Livadhet janë vende fushore te vegjetuara me bari dhe bimë të tjera jo-drusore që kositen, ndërsa kullotat janë janë pjesë të veçanta fushore ku kullosin bagëtia të cilat nuk kositen!”
Të gjitha livadhet e Pogragjës janë të mbuluara me bimë foragjere-barishtore shumëvjeçare dhe kositen një apo dy herë në vit.
Livadhet e Pogragjës janë dy llojesh:
Livadhe Kodrinore-malore dhe
Livadhe të Ulëta (të Përmbytura)
Livadhet Malore janë Livadhi i Bekës, Livadhi i Hafizit, Livadhi i Durakit dhe Livadhet e Grahecave të cilat shtrihen 460 – 700 metra Lmd.
Livadhi i Bekës dhe Livadhi i Hafizit shtrihen mbi Rrasën e Vogël te Qafa e Kalasë, ndërkaq Livadhi i Durakit me një sipërfaqe të vogël shtrihet rrëzë Kodërgatit, në anën e djathtë të Përronit të Hurdhës.
Ndër Livadhet Malore të Pogragjës, me karakteristika të veçanta dhe me sipërfaqe të mëdha janë Livadhet e Grahecës që shtrihen në 700m Lmd.
Janë rreth 5 km larg fshatit Pogragjë.
Këto livadhe janë kositur një herë në vit dhe kanë qenë furnizues kryesor me sanë për ushqimin e bagëtisë gjatë dimrit, sidomos gjatë viteve kur Livadhet e Ulëta përmbyteshin nga vërshimi i lumit Morava.
Mirëpo, neve na interesojnë, më shumë, toponimet e vjetra të livadheve.
Për toponimin Graheca ka dy variante shpjegimi:
Varianti i parë: shumica e banorëve të Pogragjës, emrin Grahecë e nxjerrin emërtim të vjetër në Gjuhën shqipe.
Emri Grahecë është formuar me bashkim fjalësh (folje + folje), grah+ ec.
Grah – grahi (fjalori). “Nxit një kafshë që të ec më shpejt; grahi kalit! Grahi qeve! Grahi deleve! Nis a nget një automjet…”
Figurativisht: Grahu duarve! (Lëvizi duart më shpejtë!) Grahu këmbëve! (Ec më shpejtë!), Grahi punës! (Përfundoj punët!)
Kjo fjalë është fjalë e vjetër e Gjuhës shqipe, sepse fjalët më të vjetra janë krijuar nga profesionet më të vjetra, siç është me këtë rast blegtoria (Grahi deleve!)
Pra, fjala grah – grahi – grahu është një folje në këtë rast në mënyrën urdhërore (Ti grahi – grahu!)
Ec (hec – lok.), po ashtu është folje në mënyrën urdhërore, veta e dytë njëjës(ti ec!)
Pra emri Grahec është formuar me bashkim fjalësh: (Grah + ec/ë) = Grahecë – Graheca.
Dhe kjo ka logjikë, sepse Livadhet e Grahecës janë livadhet më të largëta nga fshati dhe për të arritur atje me kohë, duhet m’i grah këmbëve – me ec më shpejtë!
Shpjegimi i dytë, për emërtimin Grahecë, mund të jetë edhe më i vjetër, me bazë indoevropiane: Grahi – një shtëpi. Grah – në shtëpi + ec = Grahec/ë. Dmth ky emër ka lidhje me shtëpi banimi.
Mirëpo, varianti i dytë mund të vërtetohet nga arkeologët, sepse thuhet se Graheca ka qenë një vend i banuar.
Livadhet tjera të Pogragjës i takojnë tipit të Livadheve të ulëta- Livadheve të Përmbytura
Këto livadhe shtrihen në dy anët e brigjeve të lumit Morava dhe kositen dy herë brenda vitit.
Livadhet e Ulëta janë: Livadhet te Rrethi, Livadhet e Priftit, Livadhet te Skuta, Lluga Osmanit, Lluga Hydës, Livadhet n’Fundija dhe Livadhet n’Tamac.
Emërtimet më të vjetra të Livadheve të Përmbytura janë: Livadhet te Rrethi dhe Livadhet e Priftit të cilat janë më afër fshatit.
Livadhet e Rrethit shtrihen në anën e majtë të lumit Morava dhe kanë të njëjtin emër me Arat e Rrethit.
Livadhet e Priftit janë në anën e majtë të rrugës Pogragjë – Dobërçan dhe shtrihen prej përfundimit të fshatit deri te Kumbullat e Bejtës.
Janë Livadhet më të afërta të fshatit. Kanë qenë pasuri e kishës që dëshmon edhe emri Livadhet e Priftit. (Pogragja me rrethinë ka pas 7 kisha të krishtera: Kisha e Çarrme, Kisha mbi Podina – Lugi i Kishës, Kisha e Llabureve, Kisha e Llovcës…)
Të gjitha emërtimet e livadheve të tjera janë më të vonshme.
Pogragja, në të kaluarën ka pas sipërfaqe më të mëdha të livadheve dhe kullotave që kanë qenë në proporcion të zhdrejtë me arat e bukës, sepse sa më shumë janë shtuar sipërfaqet e arave, aq më shumë janë zvogëluar sipërfaqet e livadheve dhe anasjelltas siç po ndodhë në kohët e fundit; arat e punës po shndërrohen në livadhe e kullota – po kthehen në kapital të vjetër!
Livadhet e Pogragjës në të kaluarën kositeshin me mjete klasike. Bari i kositur qëndronte i shpërndarë deri sa thahej, grumbullohej në kapëza ose bëhej stoqe dhe si sanë e tharë, bartej deri në fshat me të cilën mbusheshin plemet dhe përdorej si ushqim i kafshëve për stinën e dimrit.
Në kohën e fundit të gjitha Livadhet Malore janë shndërruar në kullota, kurse Livadhet e Ulëta po kositen e grumbullohen me mjete moderne agroteknike.


