Lutfi Haziri: Kufijtë po rrezikohen, të rriten kapacitetet ushtarake të NATO-s në Kosovë
Koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe prezencë ushtarake të shtuar të NATO-s në Kosovë, po kërkon nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri pas situatës së krijuar në Ukrainë.
Kjo, për shkak që siç thotë ai, territori i vendit duhet të mbrohet.
Sipas tij, derisa federata ruse filloi me njohjen e disa krahinave, ky është paralajmërim që kufijtë po rrezikohen.
“Vendi ynë duhet të ndërmerr të gjitha veprimet në përputhje dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtare, tërësia territoriale dhe detyrimi i paqes është nën mandatin e NATO-s, në veçanti sa i përket territorit të veriut të Kosovës dhe unë besoj se do të rriten kapacitetet ushtarake të NATO-s në Kosovë të cilat kanë misionin për detyrim të paqes që është mandat me rezolutë të OKB-së”, ka deklaruar Haziri në një intervistë për FrontOnline.
E, derisa e thotë këtë, kërkon që sa më shpejtë të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.
“Natyrisht në këtë rrafsh Kosova me partnerët e saj duhet të koordinohet dhe duhet të ndërmerr veprime për mbrojtjen e territorit të saj, por mënyra më e mirë është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila i mbyll plagët e luftës”, është shprehur ai.
Lutfi Haziri tregon arsyet përse ka ngecur dialogu Kosovë-Serbi
Koha që të krijohet një momentum i ri në mënyrë që të përshpejtohet dinamika e procesit të dialogut tashmë ka kaluar.
Kështu po vlerëson përgjegjësi i LDK-së për dialogun, Lutfi Haziri.
Sipas tij, kriza në mes Rusisë dhe Ukrainës mund t’i jep dimension tjetër dialogut, por se këtë beson së nuk do ta lejojë Amerika dhe Bashkimi Evropian.
“Tashmë palët prej vitit 2017 janë pajtuar për një agjendë dhe për një format të bisedimeve, tash ka mbet për shkak të rrethanave të caktuara koha e procesit, po ka zhvillime, ngecje dhe lëvizje tjera sikurse që po ndodhë tash kriza rajonale në Ukrainë apo lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, i jep dimension krejt tjerët, por ne kem marr premtim si popull i Kosovës, si republikë që fokusi i amerikanëve, mendja amerikane dhe përqendrimi amerikan dhe i BE-së, në këtë proces nuk do të zhvendoset për shkak të krizave rajonale, do të mbetet prioritet”, ka pohuar ai, për FrontOnline.
Kurse, përmes edhe arsyet se përse ka ngecur dialogu.
“Janë disa arsye, ajo që ne e lexojmë nga brenda është një lloj hezitimi i Qeverisë sepse siç e tash në fillim filloi me hezitim, filloi me rishikime, paralajmërime që nuk do të jetë prioritet, e në ndërkohë u rikthy kjo prapë në agjendë të Qeverisë, por koha humbi. Në palën serbe është insistimi që Kosova t’i zbaton disa nga marrëveshjet e arritura natyrisht që edhe Kosova kërkon një pjesë të marrëveshjeve të zbatohen nga ana e Serbisë”, është shprehur Haziri.
Nënkryetari i LDK-së: Qeveria të ofrojë zgjidhje për Asociacionin, pa u prekur territori i Republikës
Ndërsa, sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Haziri ka thënë se kjo marrëveshje është dokument që është nënshkruar në Bruksel.
Por, pavarësisht kësaj ai ka kërkuar nga lidershipi i vendit që të ofrojë një zgjidhje të pranueshme që nuk e prek territorin e Republikës.
“Natyrisht që është në lidershipin e Qeverisë me vazhdu procesin dhe me ofru zgjidhje të pranueshme e cila nuk prek karakterin unitar të Kushtetutës, territorin e Republikës dhe sovranitetin e saj”, ka shtuar Haziri, për FrontOnline.
Sipas tij, dialogu duhet të jetë i pranueshëm vetëm nëse zgjidhen të gjitha çështjet.
“Kjo i jep karakter dhe besim që dialogu duhet t’i zgjidh të gjitha çështjet në tavolinë në mënyrë që të jetë i pranueshëm, sepse pjesërisht nuk do të jetë e pranueshme për asnjërën palë, edhe nëse Asociacioni në një farë formë pajton palët, nëse çështjet tjera mbesin hapur atëherë nuk vlen as kjo, praktikisht është një angazhim që marrëveshja gjithëpërfshirëse me i vendos në pako të gjitha marrëveshjet e realizuara në mes të palëve dhe të përfundon një proces dhe të fillojë një proces i ndërtimit të marrëdhënieve paqësore”, është shprehur nënkryetari Haziri.
Lutfi Haziri: Një vit qeverisje Kurti, një vit i humbur
Vit të humbur e ka quajtur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri qeverisjen e Albin Kurtit.
“Praktikisht mundet me u quajt vit i humbur nëse nuk e llogarisim një konsolidim të brendshëm dhe një angazhim i cili në vete ka pas vetëm shkarkime aktive përmes institucioneve qeverisëse dhe mekanizmave të Kuvendit”, është shprehur Haziri për FrontOnline.
Kjo pasi që siç thotë ai, problemet vazhdojnë të jenë të njëjta dhe se ajo që është pritur të ndodhë në vend nuk ka ndodhur.
“Për një vit pak a shumë problemet janë të njëjta, ajo që është prit nga kjo qeveri me ndodhë në Kosovë edhe më tutje nuk ka ndodhë, përkundrazi ballafaqimi me dialogun nuk i jep kredit suksesit, ballafaqimi me problemet e brendshme ekonomike po ashtu nuk është storie për tu treguar, sikurse që nuk ka rrit me zgjedh probleme të tjera të paralajmëruar për ndryshime të mëdha”, ka thënë ai, për FrontOnline.
Haziri, nga fundi i vitit të kaluar është ngarkuar nga LDK-ja, përgjegjës për dialogun Kosovë-Serbi.

