Lutfi Haziri, para 23 vitesh ishte arrestuar nga Serbia nën akuzën për terrorizëm

Në ditën e sotme, para 23 vitesh, në Gjilan ishte arrestuar Lutfi Haziri, asokohe aktivist politik dhe tani kryetar Komune, i cili këtë të diele do të kërkojë besimin e gjilanasve për mandatin e pestë.

Haziri me shokë akuzoheshin se si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin planifikuar dhe po pëgatiteshin për organizimin e kryengritjes së armatosur kundër Serbisë.

Avokatët e Hazirit kishin thënë se ai ishte keqtrajtuar aq shumë nga policët serbë, sa edhe kokën e kishte të ënjtur.

Bashkëshortja e tij, Mirvete Bajrami, e cila erdhi atë mëngjes të 15 tetorit për të treguar për arrestimin e tij, në lokalet e LDK-së, por paraprakisht ishte ndalur në zyrën për informim, i kishte humbur shpresat se mund ta takonte sërish Lutfiun.

Ajo ishte e vetëdijshme për situatën në të cilën ndodhej vendi, për sjelljet brutale të policisë, si dhe për akuzën e rëndë me të cilën ngarkohej Lutfiu.

‘Nuk kthehet më… nuk e lëshojnë të gjallë’ – u shpreh ajo, ndërkohë që po ndiente edhe të ftohtë, meqë ishte shtatzënë dhe temperaturat kishin filluar të ulen në atë vjeshtë të vitit 1998.

Gjyqi i grupit ‘terrorist’ në krye me Lutfi Hazirin u zhvillua në një atmosferë shumë të rëndë dhe të tensionuar, në ndërtesën ku pikërisht është sot Komuna.

Si për koincidencë, edhe zyra e kryetarit të Komunës, ndodhet në sallën e atëhershme të gjyqit, si simbolikë e lirisë dhe e fitores mbi një pushtues, i cili shqiptarët i ndoqi, i arrestoi dhe i mbajti të mbërthyer pas hekurave më se një shekull.

Vetëm disa ditë para se të fillonin bombardimet e NATO-s, këtu në Gjilan po mbahej gjyqi i Lutfi Hazirit dhe 7 anëtarëve tjerë të grupit, ku bënin pjesë Abdullah Tahiri, Ibrahim Uruqi, Ismet Hashani, Ahmet Demiri dhe të tjerë, të cilët ishin akuzuar për terrorizëm.

Zyrtarët e Misonit Monitorues, të cilët asokohe ndodheshin në Kosovë dhe po përgatiteshin të tërhiqeshin për t`u hapur rrugë bombardimeve të NATO-s, gjyqin e shqiptarëve të akuzuar për terrorizëm e kishin cilësuar një proces jo të drejtë.

Lutfi Haziri, falë intelektit të jashtëzakonshëm që kishte, e kishte ndjerë se liria nuk ishte larg.

Sot, 23 vite më vone, ai po garon për mandatin e pestë të kryetarit të Komunës në qytetin e tij, ndërkohë që gjatë këtyre viteve të lirisë, ka mbajtur edhe poste ministrore e mandate deputeti.

Pos për qeverisje të mirë e të suksesshme deri më tani, ai, edhe për këtë e meriton besimin e qytetarëve të Gjilanit më 17 tetor./Mediafokus.info/