Malisheva “ngritët në këmbë” kundër deponisë
Propozimi për caktimin e lokacionit për deponimin e mbeturinave inerte në Malishevë, është pritur me shqetësim e reagime nga banorët e këtij fshati të komunës së Gjilanit.
Propozim-vendimi vlerësohet i papranueshëm dhe me pasoja serioze për banorët dhe mjedisin, nëse miratohet nga Kuvendi.
Latif Maliqi, ish-këshilltar komunal, banor i fshatit, ka thënë se fakti që ky propozim është dërguar në Kuvend pa u organizuar paraprakisht një dëgjim publik me qytetarët e Malishevës, për të marrë edhe mendimin e tyre, tregon mungesë transparence dhe mosrespektim të interesit qytetar.
Për më tepër, ai thotë se në atë zonë, përveç puseve që furnizojnë me ujë dy Malishevat dhe lagjen e Livadheve, ekzistojnë edhe shumë puse private të banorëve.
Çdo vendim i tillë duhet të shoqërohet me analiza profesionale dhe garanci të qarta se nuk do të rrezikohet furnizimi me ujë dhe mjedisi.
Kërkesa që ky propozim të kalojë në Kuvend pa informim dhe konsultim të qytetarëve është e pakuptimtë.
Prandaj shtrohen pyetjet: Kush e propozoi këtë lokacion, mbi çfarë argumentesh, studimesh dhe faktesh u mbështet përzgjedhja e tij, cilat janë kriteret që e bëjnë pikërisht këtë vend të përshtatshëm për deponimin e mbeturinave inerte?
Ai u ka bërë thirrje të gjithë këshilltarëve komunalë, pa dallim përkatësie politike, që të mos e votojnë këtë propozim-vendim pa u shteruar të gjitha procedurat ligjore, pa u zhvilluar debat publik dhe pa u analizuar me kujdes të gjitha pasojat e mundshme.
“Duhet të vlerësohet qartë nëse ky vendim sjell më shumë dobi apo më shumë dëme për qytetarët dhe për të ardhmen e Malishevës”, thotë Latifi, ndërkohë që përsërit thirrjen për të mos e përkrahur propozimin.
“Edhe një herë ju bëj thirrje që të mos e përkrahni këtë propozim në formën aktuale. Interesi i qytetarëve, mbrojtja e ujit të pijshëm dhe ruajtja e mjedisit duhet të jenë mbi çdo interes tjetër”, shprehet Latifi.

