Masakër me 10 të vrarë në Cetinje, po kush e vrau autorin e krimit

Një ngjarje mjaft e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Cetinje të Malit të Zi, ku një person, pas një konflikti familjar, ka vrarë 10 persona dhe në fund është vrarë nga policia.

Sipas mediave malazeze, 34-vjeçari pas një konflikti ka lëshuar breshëri plumbash mbi familjarët, duke vrarë 10 persona dhe plagosur 11 të tjerë.

Mes viktimave dyshohet se ka edhe fëmijë.

Mediat malazeze kanë mësuar jozyrtarisht se V.B. (34-vjeçar) ka vrarë të gjithë familjen e më pas ka dalë në rrugë dhe ka qëlluar njerëzit.

Sipas informacioneve të pakonfirmuara, në masakër kanë humbur jetën 11 persona, mes të cilëve dyshohet se ka edhe fëmijë.

Prokuroria e çështjes, Andrijana Nastiç, ka thënë për TV Vijesti, pas përfundimit të hetimeve, se 9 persona kanë ndërruar jetë në vend, ndërsa nga Qendra Klinike kanë marrë informacione se dy persona të tjerë u kanë vdekur plagëve të marra.

Dy fëmijë u vranë gjithashtu dhe në mesin e gjashtë të shtruarve në spital, dy në Cetinje dhe katër në QKKG, është dhe një polic.

Nastiç, gjithashtu sqaroi se autori i sulmit makabër nuk ishte vrarë nga policia, por nga një bashkëqytetar.

Drejtori i Administratës Policore, Zoran Brdanin, ka bërë të ditur se sulmuesi ka qëlluar në një familje, anëtarët e së cilës kanë qenë duke qëndruar në ambientet e shtëpisë së tij si qiramarrës, në Medovina.

“Ai ka përdorur armën e zjarrit, pushkë gjuetie. Fillimisht ka vrarë dy fëmijët, njëri 8 dhe tjetri 11 vjeç, dhe ka plagosur nënën e tyre. Më pas ka dalë jashtë dhe me të njëjtën armë ka qëlluar banorët e zonës, duke ju marrë jetën dhe personave të tjerë”, tha Brdanin.

Kryeministri Dritan Abazovic dhe ministri i Shëndetësisë Dragoslav Sçekiç vizituan QKK-në, biseduan me drejtoreshën Liljana Radulovićçdhe më pas shkuan në vendngjarje.

Abazoviç ka bërë të ditur se do të shpallet tri ditë zie në shkallë vendi.