Matematika e profesorit izraelit se ‘virusi largohet vetë pas 70 ditësh’ nuk doli e saktë

‘Matematika’ e profesorit të njohur izraelit, Isaac Ben-Izrael, mbi përhapjen e koronavirusit në botë, ku thoshte se shifrat nisin të “rrudhen” pas rreth 40 ditësh nga raportimi i rastit të parë, doli e pasaktë.

Para një viti, ai kishte parashikuar se në bazë të statistikave të thjeshta, matematikisht virusi largohet pas 70 ditësh.

Ky ishte parashikimi i tij që nuk rezultoi i saktë.

Matematicieni, analisti dhe ish gjenerali i shquar izraelit, Isaac Ben-Izrael pohon se analiza e thjeshtë statistikore tregon se përhapja e COVID-19 nuk merr parasysh se ku godet, dhe gjithashtu nuk merr parasysh se çfarë masash qeveritë imponojnë për ta frenuar atë.

Profesori Isaac Ben-Israel, drejtuesi i programit të Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Tel Aviv dhe kryetari i Këshillit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim, tha për mediat izraelite të hënën në mbrëmje se hulumtimet që ai kreu me një profesor të tij, duke analizuar rritjen dhe rënien e rasteve të reja në shumë vende të botës, treguan në mënyrë të përsëritur se “ekziston një model i caktuar” dhe “numrat flasin vetë”.

Ndërsa tha se mbështet distancimin social, mbyllja e ekonomive në të gjithë botën është një gabim sipas tij, që del në dritën e këtyre statistikave.

Në rastin e Izraelit, vuri në dukje ai, rreth 140 persona vdesin çdo ditë në jetën normale.

“Të mbyllësh pjesën më të madhe të ekonomisë për shkak të një virusi që po vret një ose dy në ditë është një gabim rrënjësor që i kushton padrejtësisht Izraelit 20% të PBB-së së tij’, akuzoi ai.

Por përgjigjen e mori nga Profesori Gabi Barbash, drejtor i spitalit dhe ish drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili insistoi se Ben-Izraeli gabohet dhe se numri i të vdekurve do të ishte shumë më i lartë nëse Izraeli dhe vendet e tjera nuk do të kishin ndërmarrë hapat që ata kanë marrë.