Mbyllet kolegji në Shqipëri i lidhur me FETO-n

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy”, që është pjesë e Fondacionit Gülistan, i njohur për afërsinë me organizatën terroriste FETO.

Vendimi për mbylljen e shkollës në Tiranë është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillimit të Ministrave, duke u publikuar edhe në uebfaqen zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë.

Në vendimin e qeverisë thuhet se vendimi në fjalë merret me propozimin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Sipas vendimit, institucioni arsimor i mbyllur ka për detyrim të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar, të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, të kthejë pagesat e kryera (nëse ka), si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësve.

Gjithashtu në vendim thuhet se institucioni i mbyllur ka për detyrim të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim dhe të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon.

Institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, është licencuar në gusht të vitit 1996, për nivelin e arsimit të mesëm.

Kolegji i mbyllur është pjesë e Fondacionit Gülistan që njihet për afërsinë dhe lidhjet e tij me organizatën terroriste FETO.