Mjekët kundër mbylljes totale të vendit

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë se tashmë vendi ka hyrë në valën e tretë të pandemisë ku numri i rasteve me Coronavirus është duke u rritur në mënyrë drastike.

Tutje, ai tha se Qeveria duhet të bëjë një balancë ndërmjet shtrëngimit të masave dhe dëmit sa më të vogël të ekonomisë.

“Edhe pse nuk është shpallur si valë e tretë unë besoj se nëse veç bëhet një analizë e thjeshtë e rritjes së numrit drastik, atëherë mund të themi se jemi në fazën e tretë të padeklaruar”.

“Unë mendoj se diçka duhet të ndërmerret dhe dikush duhet të marrë përgjegjësinë për heqjen e të gjitha këtyre restreksioneve të cilat kanë qenë të pakta dhe të pa monitoruara në vigjilje të zgjedhjeve e cila ka shkaktuar dëme të cilat i kemi tani”.

“Por gjithsesi diçka duhet të ndërmerret pasi që Qeveria duhet të bëjë një balancë ndërmjet shtrëngimit të masave dhe dëmit sa më të vogël në ekonominë e Kosovës”.

Sejdiu shtoi se masat do të duhej të jenë restriktive, por që nuk duhet të ketë mbyllje totale, ngase sipas tij, mbikëqyrja tani më është zero.

“Qeverisë së re nuk i mbesin shumë për të ndërmarrë që të përmirësohet gjendja ndjeshëm. Masat do të duhej të jenë restriktive, por jo nga ato të cilat do të mbyllin komplet Kosovën. Mbikëqyrja e zbatimit të masave është zero deri më tani”.

Sipas tij, nëse flitet për menaxhimin profesional, punëtorët shëndetësor kanë treguar pjekuri gjatë kësaj periudhe.

“Nëse flasim për menaxhimin profesional unë mendoj që punëtorët shëndetësor të gjitha pa përjashtim kanë treguar pjekuri gjatë kësaj vale të tretë dhe e kanë paralajmëruar edhe nivelin qeveritar dhe ajo ka dështuar komplet”, tha ai.