Mjekët nuk lirohen nga puna edhe nëse dalin pozitivë në Covid

Pjesëtarët e personelit të cilët kanë rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit mund të kthehen në punë shtatë ditë pasi t`u jenë shfaqur simptomat e para të sëmundjes.

Në mënyrë që Spitali Universitar i Gjenevës (HUG) të mund t`i kryejë shërbimet e tij në krizën aktuale, mjeku i kantonit të Gjenevës ka autorizuar infermierët të punojnë, edhe nëse ata kanë rezultuar pozitivë për virusin korona, shkruan Keystone-SDA.

Megjithatë, kjo vlen nën kushte të caktuara dhe përcaktimi është po ashtu vullnetar.

“Punonjësit nuk i detyrojmë për asgjë,” ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Sigurisë, Punës dhe Shëndetit, Laurent Paoliello, të martën për agjensinë e lajmeve Keystone-SDA. Ky opsion ishte përdorur tashmë në pranverë gjatë valës së parë të pandemisë, ka vazhduar Paoliello.

Kjo do të thotë që pjesëtarët e personelit të cilët kanë rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit mund të kthehen në punë shtatë ditë pasi t`u jenë shfaqur simptomat e para të sëmundjes, transmeton albinfo.ch. Pas një periudhe të tillë, rreziku i infektimit zhduket pothuajse plotësisht, ndërsa rrezikun e mungesës së stafit tashmë e kemi provuar, ka thënë Paoliello. Kështu, me këtë rast është bërë një balancim i interesave.

Punonjësit e HUG kanë marrë një letër përmes të cilës janë njoftuar për vendimin, përcjell albinfo.ch. Situata me koronavirusin në Gjenevë është veçanërisht e tensionuar. Mbi 638 njerëz janë shtruar në spitale me sëmundjen Covid-19 ndërsa mbi 1200 punonjës të spitalit janë infektuar nga ky virus.

Megjithëse liria e zgjedhjes në këtë rast është e garantuar, vendimi është kritikuar nga sindikata e personelit të shërbimit publik: “Është e papranueshme të lihen punonjësit të punojnë në këto kushte”, ka thënë për gazetën sekretari i sindikatës kantonale Martin Malinovski. Sipas mendimit të tij, kjo i vë në rrezik si punonjësit ashtu edhe pacientët.