Sot luhet miqësorja Kosovë-Shqipëri, Challandes rezulton pozitiv në Covid 19

Sot zhvillohet ndeshja miqësore Kosovë-Shqipëri, por përfaqësuesen tonë nuk do të mund ta drejtojë trajneri Bernard Challandes. Ai ka rezultuar pozitiv në Covid-19.

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se trajneri zviceran, Bernard Challandes, ka rezultuar pozitiv me Covid.

“11 nëntor 2020, pas kryerjes së testit për COVID-19, përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes dhe njëri nga pjesëtarët tjerë të stafit (menaxheri i pajisjeve), kanë rezultuar pozitiv”, njofton FFK.

Ata tashmë janë izoluar nga pjesa tjetër e ekipit deri në testin e radhës, që është programuar për të enjten për ndeshjen kundër Sllovenisë.

Kësisoj, ndeshjen e sotme miqësore kundër Shqipërisë do ta drejtojë ndihmëstrajneri i parë, Muharrem Sahiti.