Momenti kur besimtarët e zapojnë sulmuesin në xhaminë e Tiranës

A2 ka siguruar pamjet e neutralizimit të personit që plagosi 5 persona në xhaminë “Dine Hoxha”, në Rrugën e Kavajës.

Në video, shihet se si Rudolf Nikolli, 34 vjeç nga Burreli, u neutralizua fillimisht nga besimtarët, përpara se të ndërhynte policia.

Policia bëri të ditur se personat e plagosur janë shtetasit Kleon Jaupaj, Amri Tola, Mariglen Konja, Donald Konja, Saba Peposhi, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Ahmed Kalaja, imami i xhamisë, reagoi pas ngjarjes së rëndë. Në rrjetet sociale, ai konfirmoi ngjarjen, ndërsa tha se shpresonte të mos ishte një sulm terrorist.

“Situata është nën kontroll, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Shpresoj mos të ketë qenë ndonjë akt terrorist. Shpresoj të ketë qenë ndonjë njeri me të meta mendore. Për pak orë xhamia do të kthehet në normalitet. Këta janë njerëz që duan të prishin harmoninë e janë plagosur disa vëllezër dhe disa besimtarë. E rëndësishme që situata është nën kontroll”, tha Kalaja.