Sot e ‘takova’ vaksinën Moderna

Gjashtë ditë më parë Gjeneva kishte vendosur që të mundësojë vaksinimin e personave nga mosha 45 vjeç.

Siç u tha, po bëhet.

Sot më 19 prill është hapur vaksinodromi i Gjenevës, në Palexpo. Aty ka 160 ndarje individuale (kabina vaksinimi) për 3000 deri në 4000 vaksina në ditë.

Për të mbështetur stafin e specializuar, gati një mijë vullnetarë do të mbështesin këtë qendër vaksinimi deri më 31 gusht.

Personalisht sot isha në këtë qendër ku kam marrë dozën e parë të vaksinës Moderna. Jo për arsye të ndonjë anomalie shëndetësore por më është bërë e mundur të vaksinohem që në ditën e parë të hapjes së kësaj qendre, falë regjistrimit tim të hershëm që daton që nga muaji janar.

Unë kam besuar në thënien se «çdo sëmundje ka një ilaç»!

Jam bindur se falë evolucionit edhe në shkencë, mundem që të bëhem pjesë mbrojtëse për njerëzit e mi dhe të bëjë vet llogarinë e anëve pozitive apo negative për fatin tim.

Situata në Zvicër sot

Zyra Federale e Shëndetit Publik ka raportuar sot 4,905 raste të reja të Covid-19 në 72 orë, si dhe 16 vdekje shtesë dhe 148 të shtruar në spital. Shkalla e pozitivitetit është 6.83% dhe shkalla e riprodhimit është 1.1.

Vlen të theksojmë se ZFSHP gjithnjë rekomandon mbajtjen e një distance prej 1.5 metrash nga njerëzit që nuk janë nga e njëjta shtëpi, të vëmë një maskë nëse kjo distancë nuk mund të ruhet dhe se duhet respektuar rregullat e higjienës. /MLH