Mosmiratimi i buxhetit dhe morali politik
Mosmiratimi i buxhetit brenda kufijve ligjor nuk nënkupton bankrotim të shtetit siç potencohet vazhdimisht nga analistët, por bllokim financiar të shtetit siç e parasheh ligji.
Shkruan: Burim Haliti
Në secilin vend pas mbajtjes së zgjedhjeve krijohen situata presioni dhe të pakëndshme në aspektin politik, mirëpo tek ne po përsëriten rastet kur proceset demokratike siç janë zgjedhjet paralamentare, po e rrezikojnë funksionimin e shtetit në aspektin financiar-buxhetor.
A duhet të vazhdojmë me këtë ritëm të të bërit politikë ku rrezikohet ana fiskale e shtetit nga mbajtja apo mos mbajtja e zgjedhjeve?
Sigurisht se jo. Duhet të krijojmë zgjidhje politike të cilat nuk e fusin shtetit në riskun buxhetor të shpenzimit të tij.
Në aspektin juridik, buxheti si kategori ligjore, e ka të trasuar rrugën e saj juridike. Por, me disa të meta, përkatësisht zbrazëtira ligjore, të cilat nuk e definojnë saktë se çfarë ndodhë nëse tejkalohen tërë kufijtë ligjorë në mos miratimin buxhetit.
Çka thotë ligji mbi menaxhimin e financave publike?
Sipas ligjit mbi menaxhimin e financave publike, buxheti i shtetit parimisht duhet të miratohet jo më vonë se data 31 dhjetor i vitit fiskal, ndërsa përjashtimisht nëse janë mbajtur zgjedhjet 4 muaj para përfundimi të vitit fiskal, atëherë mund të kalohet në shfrytëzimin e buxhetit të shtetit edhe për dy muaj të ardhshëm (janar dhe shkurt) dhe në miratimin e buxhetit në vitin e ardhshëm fiskal, por me ligj nuk definohet saktë statusi buxhetor i shtetit nëse buxheti nuk miratohet brenda afateve ligjore.
Në aspektin juridik nuk mund të parashihen të gjitha situatat e mundshme buxhetore, por vetëm përcaktohen parimet bazë dhe rregullohen procedurat, ndërsa spektri politik është ai mekanizëm që lejon të zbret në nivel të ndonjë krize të mundshme apo tejkalim të saj.
Çka nënkuptojmë me moral politik apo me nivel të të bërit politikë në proceset buxhetore?
Të mos e lejojmë vendin të shkojë në zgjedhje në pjesën e dytë të vitit fiskal sepse po na paraqiten krizat buxhetore.
E kjo të ndodh vetëm në raste të jashtëzakonshme. Përjashtimisht, shkuarja në zgjedhje në pjesën e dytë të vitit fiskal, nuk duhet të bëhet pa marrëveshjen e partive politike, por vetëm kur ato merren vesh që të shkohet në zgjedhje, mirëpo (mos) veprimet e tyre të mos e rrezikojnë miratimin e buxhetit.
Nëse partitë politike nuk kanë marrëveshje për bashkëqeverisje deri në fund të muajit shkurt, atëherë duhet të vijë në shprehje morali politik, ku partitë politike do bëjnë marrëveshje në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve me qëllim miratimin e buxhetit dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja.
Në prill mund të ketë krizë buxhetore dhe bllokim financiar
Në këtë rast, kryetari Kuvendit të Republikës mund të autorizojë shfrytëzimin e buxhetit edhe për muajin mars dhe pas këtij afati ligjor të gjitha kodet buxhetore bllokohen. Vendi futet në krizë buxhetore dhe bllokim financiar.
Shpresojmë që klasa jonë politike të arrijë një marrëveshje për qeverisje mes partive të ndryshme politike.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë duhet që partitë poltike të tregojnë vullnet dhe gatishmëri për të bashkëqeverisur në afat të caktuar me qëllim të miratimit të buxhetit dhe përgatitjes së vendit për zgjedhje të reja.
Mosmiratimi i buxhetit brenda kufijve ligjor nuk nënkupton bankrotim të shtetit siç potencohet vazhdimisht nga analistët, por bllokim financiar të shtetit siç e parasheh ligji./Opinioni është shkruar enkas për MediaFokus/
(Autori është njohës i çështjes juridiko-financiare)