Murat Jasharit i shqiptohet masa e detyrueshme e trajtimit psikiatrik

Departamenti special i Gjykatës Themelore i ka shqiptuar Murat Jasharit, në rastin “Syri Popullit”, masën e detyrueshme të trajtimit psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

Por për dallim prej vendimit të parë ku trupi gjykues kishte marrë vendim që Murat Jashari të qëndronte për trajtim për 10 vjet, kësaj radhe masa e trajtimit psikiatrik do të vazhdojë bazuar në rekomandimet e ekspertëve të institutit.

Kryetari i trupit gjykues, Musa Kongjeli, ka thënë se për shkak të gjendjes shëndetësore të Jasharit, gjykata e ka trajtuar me prioritet këtë lëndë derisa procedura po zhvillohet ndaras ndaj Avni Llumnicës, Sadri Ramabajës e Bajrush Konjushës.

Gjykata ka thënë se do të njoftohet çdo 6 muaj për gjendjen shëndetësore të Jasharit dhe se është në dijeni që atij disa here i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, njofton Koha.

Ndërsa avokatja e tij, Fehmie Gashi Bytyçi, ka thënë se disa herë ajo është dashur t’i sigurojë barnat për klientin e tij pasi që ka pasur mungesë te barnave me të cilat ai po trajtohet.

Murat Jashari akuzohet për tentim vrasje të rëndë në tentativë ndaj Azem Vllasit dhe mbajtje në pronësi të armës.