Mustafa: Kam kërkuar pajtimin e KP të LDK’së për koalicion me AAK’në, NISMËN dhe pakicat

Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar përgatitjet e para për koalicionin e ri qeverisës, në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk e dorëzon emrin për mandatarin apo dështon të sigurojë votat që i duhen në Kuvend.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa i ka thënë Gazetës Express se ka kërkuar pajtimin e Këshillit të Përgjithshëm për koalicion me AAK’në, Nismën dhe pakicat.

Kjo sipas Mustafës do të bëhet nëse shterren rrugët kushtetuese me partinë e parë që ka dalë nga zgjedhjet.

Këshilli i përgjithshëm do të vendosë përmes votës deri nesër në ora 16:00.

Tashmë kanë kaluar dy javë prej kur presidenti i vendit ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të bëjë propozimin e emrit të ri për mandatarin, pasi që qeveria aktuale u rrëzua në kuvend me mocion mosbesimi.

Ani pse partia e Albin Kurtin janë deklaruar se do t’i përgjigjen presidentit, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur se nuk dihet afati kohor kur mund të dorëzohet emri për mandatarin.

Derisa LVV nuk po tregon sinjale për formimin e Qeverisë së re, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar një propozim në organin më të lartë të partisë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaci tashmë iu është drejtuar me anë të dy letrave kreut të Qeverisë në detyrë e liderit të LVV’së duke i kërkuar emrin për mandatarin.

Nga LVV kanë deklaruar se një gjë e tillë do të ndodhë, në përputhje me Kushtetutën, që s’jep afate se kur duhet të dorëzohet emri.