Ky ishte Kryevalltari i Karadakut, Hamit Aliu

Vdekja e kryevalltarit të Karadakut, Hamit Aliu  është pritur me pikëllim në shkollën ku ai ka punuar dhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Bajram Curri” të Shurdhanit.

Hamit Aliu (05.01.1947- 20.03.2021) ka punuar për shumë vite në shkollën “Bajram Curri” në Shurdhan dhe njëherësh ishte edhe themelues i Ansamblit të këngëve dhe valleve autoktone burimore “Bajram Curri”.

Shkolla, Karadaku, dhe gjithë Shqiptaria, mësuesin Hamit Aliu do ta kujtojnë gjithmonë me përuljen dhe me respektin më të lartë, për punën madhështore dhe kontributin e pazëvendësueshem të dhënë për 40 vite në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të kësaj ane.

Do të kujtohet themelues i Ansamblit të këngëve dhe valleve burimore autoktone “Bajram Curri” në Shurdhan.

Do të kujtohet për shpirtin e tij prej artisti të madh, e që mbajti gjallë vlerat arsimore, kulturore dhe artistike dhe me tërë forcën e tij punoj për ruajtjen dhe kultivimin e këtyre vlerave në Karadak e në Kosovë.

Do të kujtohet ambasadori i pa shoq për njohjen dhe shpërndarjen e kësaj trashëgimie kulturore, jo vetëm tek brezat e rinj në Karadak e Anamoravë, por edhe në trevat kombëtare e ndërkombëtare.

Do të kujtohet si një ndër vallëtarët më të mirë në gjithë Shqiptarinë. Ai përfaqësoi me dinjitetin më të lartë shkollën, Ansamblin, Komunën dhe Shtetin e Kosovës në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ishte mësues i dashur, këshillues, frymëzues, e mbi gjitha udhëheqës dhe kreator.

Hamiti do t’i mungojë skenës së festivaleve dhe logut të valleve, ku shkëlqente me elegancë dhe kreativitet.

‘Përulemi dhe jemi krenarë me mësuesin dhe valltarin Hamit Aliu’ – shkruan  Drejtoria e shkollës “Bajram Curri” në Shurdhan.