“Ndalohet përplasja e fëmijëve në veturën e ministres Hajdari”

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dje ka shkaktuar një aksident trafiku, për të cilin kjo e fundit tha se shkaku aksidentit ishte “përplasja papritmas” e një fëmije në veturën e saj.

Një deklaratë e tillë e ministres ka ngjallur reagime të shumta, ku Hajdari është kritikuar nga qytetarë e politikanë të shumtë lidhur me deklaratat e saj.

Edhe analisti Imer Mushkolaj, ka ironizuar me deklaratën e ministres, shkruan Paparaci.

“Ndalohet përplasja e fëmijëve në veturën e ministres Hajdari!”, shkruan ai në Facebook.

Kurse, sot Policia ka dhënë detaje rreth aksidentit të shkaktuar nga ministrja Rozeta Hajdari.

Në raportin 24 orësh, policia i referohet Hajdarit si “e dyshuara femër kosovare” e cila përderisa ishte duke drejtuar veturën, ka goditur viktimën mashkull kosovar.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet tutje në raport.