Në moshën 25-vjeçe, kosovari Erion Morina doktoron në Universitetin e Austrisë

Një tjetër histori suksesi vjen nga diaspora shqiptare në Austri. Erion Morina ka përfunduar me sukses studimet e doktoratës (PhD) në Matematikë në Universitetin e Graz-it, duke u bërë zyrtarisht doktor i shkencave në moshën vetëm 25-vjeçare, shkruan albinfo.at.

“Sot përmbylla me sukses doktoraturën në matematikë në Universitetin e Graz-it. Më në fund e zgjidha ‘x’-in, por nuk do ta kisha arritur pa konstantet e jetës sime – familjen, miqtë dhe mentorin tim,” është shprehur ai me humor.

Në mesazhin e tij, Morina shprehu mirënjohje të veçantë për mentorin, profesorin Martin Holler, për mbështetjen dhe udhëheqjen gjatë gjithë rrugëtimit të doktoraturës, si dhe falënderoi profesorët, kolegët dhe miqtë që e shoqëruan në këtë kapitull të rëndësishëm.

Një pjesë e veçantë e falënderimit iu kushtua prindërve të tij, të cilët u detyruan të largoheshin nga Kosova gjatë luftës dhe të rindërtonin jetën e tyre në Austri.

“Ju ishit në moshën që kam unë sot kur lufta në Kosovë ju detyroi të hiqnit dorë nga gjithçka për t’u dhënë fëmijëve tuaj një jetë me shpresë. Këtë punim jua kushtoj juve,” tha ai.

Suksesi i Erion Morinës përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike dhe një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë, duke dëshmuar se puna, përkushtimi dhe mbështetja familjare mund të çojnë drejt rezultateve të jashtëzakonshme në një nga fushat më sfiduese të shkencës.