Nga Luljeta Pula në Beograd te Donika Emini në Bruksel

Shkruan: Dr. Elez Elezi

Duke e përcjellë paraqitjen e Donika Eminit në Bruksel, m’u kujtua një ngjarje që ka ndodhur para më shumë se tre dekadash.

Ishte viti 1990. Në Televizionin e Beogradit transmetohej emisioni „Porota”, ku e ftuar ishte Luljeta Pula, si përfaqësuesja e vetme e Kosovës në debatin për helmimet e nxënësve shqiptarë, që serbët e kundështonin dhe ngjarjen e quanin aktrim.

Përballë saj ishin disa profesorë dhe intelektualë serbë.

Luljeta diskutonte në gjuhën serbe dhe u përgjigjej me argumente, duke sjellë edhe mendime e qëndrime të profesorëve dhe studiuesve të tjerë.

Më kishte bërë përshtypje mënyra se si i përballonte pyetjet dhe kundërshtimet e tyre.

Në atë kohë unë isha në Sarajevë, ku vazhdoja specializimin në Pulmologji.

Kur u ktheva atje, takova mentorin tim, Prof. Dr. Abdullah Konjicia.

Gjatë bisedës, ai ma përmendi vetë paraqitjen e Luljeta Pulës në Beograd dhe me një entuziazëm të veçantë më tha:

“Uh bre, šta je uradila ona Pula, ostavila bez reči Srbe! Ona je prava dama!“  (Uh, çfarë bëri ajo Pula, i la serbët pa fjalë! Ajo është një zonjë e vërtetë!)

Këtë fjali të profesorit nuk e kam harruar as sot.

Pas gjithë këtyre viteve, një ngjarje në Bruksel ma solli përsëri ndër mend atë kujtim.

Këtë herë ishte paraqitja e Donika Eminit në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në koncertin e hapjes së forumit ishte interpretuar kënga serbe „Oj Kosovo, Kosovo”.

Të nesërmen, gjatë një paneli për pajtimin në Ballkanin Perëndimor, Donika Emini e ngriti këtë çështje dhe reagoi ndaj përzgjedhjes së asaj kënge.

Një pjesë e fjalëve të saj më bëri veçanërisht përshtypje. Ajo tha se nuk do të habitej sikur këtë këngë ta dëgjonte në Gazimestan, në kohën e Millosheviqit, apo në ndonjë tubim të tij.

Por ishte befasuar që e dëgjoi pikërisht në Komisionin Evropian, në një vend ku flitet për paqe dhe pajtim ndërmjet popujve të Ballkanit Perëndimor.

Mendoj se këtu qëndron edhe fuqia e reagimit të saj.

Nuk ishte kundër këngëve në gjuhën serbe dhe as kundër kulturës serbe.

Përkundrazi, ajo tha se do të dëshironte të dëgjonte këngë serbe dhe shqiptare që i afrojnë njerëzit.

Kundërshtimi i saj kishte të bënte me mesazhin e kësaj kënge dhe me faktin se ku u interpretua.

Natyrisht, dy ngjarjet nuk kanë ndodhur në të njëjtat rrethana.

Luljeta Pula doli përballë intelektualëve serbë në Beograd, në vitin 1990, ndërsa Donika Emini foli në një forum evropian, në vitin 2026.

Por të dyja, secila në kohën dhe mënyrën e vet, e thanë atë që mendonin dhe nuk u tërhoqën përballë një situate të pakëndshme.

Duke e dëgjuar Donikën në Bruksel, m’u kujtua Luljeta Pula dhe biseda ime me profesorin Abdullah Konjicija në Sarajevë.

M’u kujtua edhe vlerësimi i tij për një grua që, me paraqitjen e saj, kishte lënë përshtypje edhe te njerëz që nuk ishin shqiptarë.

Ndoshta prandaj më mbeti kaq shumë në mendje kjo lidhje mes dy ngjarjeve, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada.

Dhe ende më kujtohen fjalët e profesorit: „Ona je prava dama!“