Ngrihen dyshime për “kurdisje” në duelin Joshua–Prenga
Dueli i së shtunës mbrëma ndërmjet Anthony Joshuas dhe Kristian Prengës ka nxitur reagime dhe akuza për një kurdisje të mundshme, pas ndryshimit të madh të ritmit të boksierit shqiptar nga raundi i parë në të dytin.
Ish-pronari i Crystal Palace dhe komentatori i talkSPORT, Simon Jordan, ka ngritur dyshime për mënyrën se si u zhvillua përballja në peshat e rënda.
Joshua u gjend në vështirësi të mëdha që në sekondat e parë të meçit, pasi Prenga e rrëzoi në tapet me një goditje të fortë të djathtë.
Boksieri shqiptar vazhdoi presionin dhe e rrëzoi britanikun edhe një herë në minutën e fundit të raundit të parë, duke e vënë ish-kampionin e botës shumë pranë humbjes.
Megjithatë, situata ndryshoi plotësisht në raundin e dytë. Prenga nuk vazhdoi me të njëjtin intensitet, ndërsa Joshua shfrytëzoi mundësinë për t’u rikuperuar dhe e nokautoi shqiptarin me një goditje të fuqishme të djathtë.
Pas përfundimit të duelit, Jordan reagoi në rrjetet sociale, duke deklaruar se mënyra se si ndryshoi rrjedha e ndeshjes i dukej e dyshimtë.
Edhe statistikat tregojnë një rënie të ndjeshme të aktivitetit të Prengës. Sipas CompuBox, ai tentoi 46 goditje në raundin e parë dhe realizoi 13 prej tyre, ndërsa në raundin e dytë hodhi vetëm 17 goditje, duke goditur në objektiv tri herë.
Dyshimeve të Jordanit iu bashkuan edhe disa tifozë në rrjetet sociale, të cilët vunë në pikëpyetje ndryshimin e menjëhershëm të paraqitjes së Prengës.
Megjithatë, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë që mbështet pretendimet se dueli ishte i kurdisur.

