Nis vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të Kosovës
Në një qendër vaksinimi në Kukës të Shqipërisë ka filluar imunizimi i grupit të parë të punëtorëve shëndetësorë nga Kosova.
Gazetari i REL-it, i cili po përcjellë këtë proces, njofton se punëtorët shëndetësorë kosovarë arritën me disa autobusë në Kukës, dhe se ata kanë filluar të injektohen me vaksinat kundër koronavirusit.
Ende nuk është bërë e ditur se me vaksinën e cilit prodhues po zhvillohet ky proces.
Shqipëria do të vaksinojë gjithsej 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës. Më 19 mars Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka njoftuar se të shtunën 250 punëtorë shëndetësorë të Kosovës do të dërgohen për vaksinim në Kukës, Shqipëri. Udhëheqësi i kësaj federate Blerim Syla, ka thënë përmes një njoftimi për media se 250 punëtorë shëndetësorë tjerë do të vaksinohen në ditët në vijim.