Një 48-vjeçare i jep fund jetës duke u hedhur në greminë

Një grua 48-vjeçare zgjodhi një mënyrë të pazakontë për t’i dhënë fund jetës së saj, duke u hedhur në një greminë.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në zonën e Malësisë së Madhe, ndërsa trupi i pajetë i gruas u gjet mëngjesin e së dielës.

Shtetasja Shpresë Hasramaj u largua nga banesa mëngjesin e së premtes, duke u zhdukur pa gjurmë. Në orët e pasdites, bashkëshorti i gruas, banues në fshatin Meshqerraj, Njësia Administrative Gruemirë, Malësi e Madhe, ka denoncuar në Polici humbjen e bashkëshortes, raporton panorama.al

“Në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, shtetasi G. H., banues në fshatin Meshqerraj, Njësia Administrative Gruemirë, Malësi e Madhe, ka bërë kallëzim pasi bashkëshortja e tij, shtetasja Sh. H., 48 vjeçe, është larguar nga banesa në orët e para të paradites së datës 24.12.2021 dhe nuk është kthyer më”, sqaroi Policia.

Pas këtij momenti, forcat e rendit kanë nisur kërkimet në zonë, të mbështetura edhe nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës. Gjatë kontrolleve pasditen e së shtunës, në territorin e fshatit Meshqerraj, në afërsi të një shpelle, forcat e Policisë kanë gjetur një telefon celular dhe një fletore.

Pas këtij çasti, ku gruaja kishte shkruar në fletore edhe për ndërmarrjen e aktit ekstrem, nuk kishte më dyshime se 48-vjeçarja ishte vetëvrarë.

“Për shkak të territorit shumë të vështirë, nuk u bë e mundur gjetja e saj dhe kërkimet janë ndërprerë, pasi pritet që në vendin e ngjarjes, në orët e para të mëngjesit të mbërrijnë edhe forcat RENEA dhe FNSH-ja, me mjete të specializuara për të bërë të mundur gjetjen e trupit të shtetases Sh. H.”, sqaroi Policia mbrëmjen e së shtunës.

Kërkimet e zhvilluara mëngjesin e së dielës shuan të gjitha shpresat e familjes Hasramaj. Ndërhyrja në terren e Forcave Speciale të RENEA-s dhe atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, me mjete të specializuara, bënë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të gruas 48-vjeçare.

Policia tha se forcat e rendit kishin punuar në kushte tejet të vështira për shkak të terrenit ku gruaja kishte ndërmarrë aktin tragjik.

“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme për kërkimet për shtetasen Sh. H., 48 vjeçe, që dyshohej se ishte vetëhedhur në një grykë (shpellë) në fshatin Meshqerraj, bëjmë me dije se mëngjesin e sotëm kanë mbërritur në vendin e ngjarjes forcat e RENEA-s dhe të FNSH-së Shkodër, me mjete më të specializuara.

Në kushte shumë të vështira, shërbimet e Policisë kanë mundur të hyjnë në vendin ku dyshohej se ishte vetëhedhur shtetasja Sh. H. dhe kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë dhe nxjerrjen e tij nga vendi ku ishte hedhur 48-vjeçarja”, sqaroi më tej Policia e Shkodrës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për të sqaruar me detaje motivet e kësaj ngjarjeje.

Përse 48-vjeçarja e ndërmori aktin ekstrem?

Policia e Shkodrës nuk sqaroi se pse gruaja, nënë e disa fëmijëve, e ndërmori aktin ekstrem duke u hedhur në një zonë tejet të rrezikshme pranë fshatit të saj Meshqerraj, në zonën e Malësisë së Madhe. Shkaku kryesor që e detyroi gruan të ndërmerrte aktin e rëndë dyshohet të jenë problemet ekonomike në familjen e saj.

Për shkak se fshati ndodhet në një zonë të thellë, dihet pak se çfarë ka ndodhur me gruan fatkeqe, e cila i dha fund jetës duke u hedhur në një grykë të thellë, ku forcat e rendit kanë pasur vështirësi të shumta për nxjerrjen e trupit të saj.

“Në kushte shumë të vështira, shërbimet e Policisë kanë mundur të hyjnë në vendin ku dyshohej se ishte vetëhedhur shtetasja Sh. H. dhe kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë dhe nxjerrjen e tij nga vendi ku ishte hedhur 48- vjeçarja”, tha Policia e Shkodrës.