Njohësit: Situata në veri e komplikon punën për vizat, dialogu është kyç
8 dhjetori, është data kur sërish grupet punuese të Këshillit të Evropës do të diskutojnë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Por, akoma nuk dihet se a do të jetë kjo mbledhje që do t’i gëzojë kosovarët me heqjen e vizave, edhe pse është thënë se kjo do të mund të ndodhë.
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një intervistë për KlanKosova.tv thotë se situata në veri do ta komplikojë vendimmarrjen e Këshillit të Evropës.
“Po, sekreti publik për liberalizimin e vizave për Kosovën është çështje politike. Të gjithë e dinë nga shtetet e fuqishme por askush s’po e thotë. Situata në veri vetëm sa do ta komplikojë votimin sa i përket vizave në Këshillin e Evropës. Pra, do të presin se çka do të ndodhë, sidomos pas 21 nëntorit duke e ditur se Qeveria e Kosovës ende s’ka marrë vendim potencialisht për ta shtyrë vendimin apo çështjen e gjobave e cila do ta komplikojë situatën në terren, e cila do të reflektojë edhe në grupet punuese ku do të merret vendimi lidhur me atë se çka do të ndodhë lidhur me liberalizimin e vizave”, thotë Arifi.
Arifi thekson se nëse nuk hiqen vizat, BE-ja mund ta humbë kredibilitetin edhe në procesin dialogues në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Pavarësisht se çfarë vendimi do të merret në grupet punuese të Këshillit të Evropës rreth vizave për Kosovën, a do të mund të largohen nga 1 dhjetori i vitit 2023 apo jo, vështirë të parashikohet i tërë procesi për shkak është e ndërlidhur edhe me elementet politike në rastin e Kosovës dhe Kosova nuk mund të bëjë shumë përveç që mos ta dëgjojë BE-në dhe të mos të jetë më në raport me politikat e BE-së kaq e pajtueshme. Duhet të tregohet më e vendosur në raport me BE-në se nëse nuk largohen vizat BE-ja mund ta humbë kredibilitetin sa i përket çështjes së dialogut. Pra, duhet të ketë një balancë nëse qeveria ka fuqi që ta bëjë këtë”, thotë ai.
Sipas Arifit 8 dhjetori mund të prodhojë tri rezultate sa i përket vizave.
“Prapë për fat të keq i kemi tri opsione. Opsioni i parë është negativ pra që procesi mund të shtyhet për një kohë të papërcaktuar. Opsioni i dytë është që të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave por tek pas dhjetorit të vitit 2023 pas futjes së sistemit ETIAS, dhe opsioni i tretë është që të jepen liberalizimi i vizave në fillim të vitit dhe që Kosova ta fusë sistemin ETIAS deri në fund të vitit”.