N’korrner me Faton Bislimin: Rëndësia e diplomacisë publike në një shoqëri moderne
Xhevat Latifi
Krijimi i një korrneri kulturor: Rëndësia e diplomacisë publike në një shoqëri moderne
1. Kultura si mburojë e identitetit në kohë të trazirave shoqërore
Në rrugëtimin tim shoqëror dhe intelektual, me Faton Bislimin kemi pasur rastin të takohemi në vende të ndryshme në ruajtjen e identitetit kulturor përballë tronditjeve të diskursit shoqëror dhe politik.
Në këtë përballje, estetika e mendimit dhe e veprimit ka qenë një lloj “ombrelle e thyer keqas” nga stuhitë e kohës, por megjithatë ka mbetur përpjekja e vazhdueshme për të mbrojtur vlerat, kujtesën dhe dinjitetin kolektiv.
Krijimi i një “korrneri kulturor” nuk nënkupton izolim, por krijimin e një hapësire ku një shoqëri mund të reflektojë mbi veten, të ruajë trashëgiminë dhe të ndërtojë ura komunikimi me të tjerët.
Në një botë moderne, ku identitetet përballen vazhdimisht me ndikime të reja, kultura bëhet një formë e fuqishme e prezantimit dhe e afirmimit të një shoqërie.
2. Diplomacia publike si hapësirë e ndikimit përtej diplomacisë zyrtare
Diplomacia publike është një nga mekanizmat më të rëndësishëm të shoqërive moderne, sepse krijon hapësira ku një komb, një komunitet apo një grup kulturor mund të shprehë identitetin, idetë dhe kulturën e vet.
Ajo vepron në korridoret, hapësirat dhe prapaskenat ku diplomacia tradicionale shpesh nuk ka mundësi për të futur diplomatët e saj.
Historia moderne ka dëshmuar se ndikimi nuk ndërtohet vetëm përmes dokumenteve zyrtare dhe tavolinave diplomatike, por edhe përmes njerëzve, kulturës, komunikimit dhe krijimit të besimit.
Këtë e kemi parë në korridoret e institucioneve ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara, në dëgjimet dhe takimet me institucione si Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, ku zëri i komuniteteve dhe i njerëzve të angazhuar ka luajtur rol në formësimin e perceptimeve dhe në mbështetjen e kauzave të drejta.
Diplomacia publike kërkon këmbëngulje, vizion dhe besim. Ajo është arti i të mos u tërhequr përballë vështirësive, por i të ndërtuarit të aleancave përmes vlerave dhe rrëfimit të së vërtetës, kjo zatën është petku identifikues i Faton Bislimit.
3. Mërgata shqiptare si një korrner kulturor dhe urë mes dy botëve
Është thënë shpesh nga njerëz të urtë se shumë shqiptarë në Amerikë e ndjejnë veten më të lirë sesa në vendet e tyre të origjinës.
Kjo ndjenjë, edhe sot, mund të kuptohet përmes historisë së integrimit, mundësive dhe hapësirës që shoqëria amerikane ka krijuar për shprehjen e identitetit.
Prania shqiptare në Shtetet e Bashkuara natyrshëm lidhet me figura të mëdha të mendimit dhe përkushtimit kombëtar si Faik Konica dhe Fan Noli.
Por historia moderne shqiptare në Amerikë u takon edhe mijëra burrave dhe grave të zakonshme, të cilët sakrifikuan pasurinë, kohën dhe rehatinë familjare për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe lidhjen me atdheun.
Përmes këtij angazhimi të gjatë, komuniteti shqiptar në Amerikë u bë një faktor i rëndësishëm në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për çështjen shqiptare dhe në mbështetjen e rrugëtimit që çoi drejt krijimit dhe forcimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan, të cilat mbajnë edhe vulën e miqësisë dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara.
Sot, kur shohim flamurin amerikan, njëri nga yjet e tij që përfaqëson një histori të madhe lirie e demokracie, u takon të kujtojmë edhe ata shqiptarë që me përkushtim, dashuri dhe sakrificë e ngritën zërin e komunitetit të tyre.
Ata e kthyen një ëndërr në realitet dhe e dëshmuan se diplomacia publike fillon nga njerëzit.
Zoti i bekoftë këta njerëz të mirë, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre krijuan një “korrner”, kulturor që vazhdon të jetojë ndër breza.

