“Nuk dënohen heronjtë, çlirimtarët janë heronj” – protestë para selisë së OKB-së kundër vendimit të Hagës
Me pankarta në duar dhe thirrje për drejtësi, një numër i shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë mbledhur në New York, para selisë së OKB-së, për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në pankartat e tyre ishin shkruar mesazhe si “Drejtësi, jo politikë”, “Lironi heronjtë tanë” dhe “Heronj të luftës e të paqes”.
Po ashtu kishte edhe pyetje lidhur me vrasjen e civilëve në Izbicë, përfshirë mbishkrimin: “Ku janë kriminelët që masakruan 147 civilë në Izbicë”.
Protestuesit brohoritën njëzëri: “Nuk dënohen çlirimtarët”, “Ata janë heronj”, “UÇK”.
Kjo protestë pason një varg tubimesh të mbajtura në Kosovë dhe në vende të ndryshme të diasporës shqiptare.
Që nga 16 shtatori, kur Gjykata Speciale në Hagë shpalli aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, protesta kundër vendimit janë zhvilluar në Kosovë, ndërsa tubime të ngjashme janë mbajtur edhe në Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri.
Gjykata Speciale i shpalli fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Protestuesit në New York thanë se përmes këtij tubimi synojnë të kundërshtojnë vendimin e gjykatës dhe të përcjellin mesazhin e tyre për drejtësi dhe trajtim të barabartë të viktimave të luftës.

