Pacienti me COVID-19 kritikon qeverinë, në spitale ka vetëm alkool e pambuk, të tjerat duhet blerë vetë

Përballja me virusin COVID-19 është bërë sfidë e dyfishtë për qytetarët e Kosovës. Pacientët dhe familjarët e tyre janë të detyryar t`i blejnë edhe barnat vetë, që minimumi kushtojnë 50 euro në ditë.

Ja si e përshkruan betejën e tij me virusin pacienti Ismet Shkodra, i cili adreson kritika të forta në drejtim të Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës për gjendjen në shëndetësi.

“Në repartin ku isha i shtrirë me Covid posedonin vetëm: Oksigjen, kanella dhe alkool e pambuk. Mesatarja e terapisë ditore më kushtonte 50 euro, dikujt ndoshta edhe më shumë”, thotë Shkodra.

“Para disa ditëve bëra testin dhe rezultova pozitiv me virusin Covid 19. U shtrira në spitalin e Gjilanit dhe fal zotit dhe stafit mjekësor që kanë qenë të mirë (me disa përjashtime), pas 15 ditëve më liruan dhe tash jam duke vazhduar me terapi në shtëpi.

Ajo që po më nxitë të shkruaj për këtë temë, janë përgjigjet e kryeministrit Hoti dhe ministrit të shëndetësisë Zemaj të bëra dje (30.11.2020) nga ana e deputetëve në parlament.

Milionat e ndara të Hotit për shëndetësi nuk vërehen fare. I them lirisht se në repartin ku isha i shtrirë posedonin vetëm tre artikuj për pacientët me Covid: Oksigjen, kanella dhe alkool e pambuk.

Fjala e parë e motrës në vizitën e mëngjesit ishte: “Ja lista që duhesh me i ble për terapinë ditore dhe analizat që duhesh t’i bësh sot”.

Mesatarja e terapisë ditore më kushtonte 50€, dikujt ndoshta edhe më shumë.

Kryeministri dhe ministri i shëndetësisë le ta konsiderojnë këtë si sukses dhe menaxhim të mirë të pandemisë. Një analizë e quajtur D-dimmer bëhej në shumë laboratorë private, vetëm në spital jo (kushtonte vetëm 15€, unë e kam bërë 6 herë), ndoshta edhe këtë ministri e konsideron sukses të MSH.

Si ke fytyrë ministër të dalësh në foltore e të thuash po i ndihmojmë banorët e Luginës në këtë drejtim, ndërkaq këtu pacienti i infektuar me këtë virus të vdes në mungesë të barnave dhe infuzioneve, sepse nuk ka me çka t’i blejë.

Vëllezërit tanë të Luginës patjetër duhet ndihmuar se edhe ata janë pjesë e gjakut tonë, po jo me këso rrena e mashtrime që po tregoni ndaj popullit. Turp për ju, përfundon Shkodra”./Mediafokus.info