Pajtonxhiu që e ruan zanatin familjar prej 80 vitesh

Në sheshin “Shadërvan” në Prizren, tani e tetë dekada rri ky pajton. Kadri Pallëa tregon se ky pajton dikur ka bartur oficerë, komunarë e zotërinj.

Kadriu, duke folur për qendrapress, ka shpjeguar se pajtonin e ka trashëgim nga gjyshi Rexhepi, prej para 80 vitesh. Me këtë zanat është marrë edhe babai Ramizi dhe tani vetë ky, që është në moshën 70-vjeçare.

“Nuk e kemi prekur aspak dhe s’kemi bë asnjë intervenim, sepse është i bërë me hekur italiani, me dru arre të Shkodrës”.

Ai vazhdon rrëfimin tutje për pajtonin: “Gjyshi im Rexhepi i kishte shëtitur zotërillarët e këtij qyteti atëherë, edhe komunarët i ka bartur nga shpija deri në punë. Me këtë pajton, atëherë edhe oficerët janë shëtitë”.

Edhe babai i tij Ramizi, po me këtë pajton e ka nxjerrë bukën e gojës. Tash punon Kadriu po me këtë pajton.

”Po mundohen me nxjerrë një pagë të vogël, por  zor se jetohet. Më shumë këtë e bëjë për traditë, në shenjë kujtimi të gjyshit dhe babait tim”.

Dikur kanë qenë tetë familje që janë marrë me pajtona. Familja e Ali Shipkovicës, Eqrem Burdos e  të tjera. Por, këto familje nuk e kanë vazhduar këtë traditë, përveç familjes Palla, që ka një dashuri të veçantë për kuajt.

Në Prizren mendojnë se familja që ka një kali të mirë në shpi, është sikurse të ketë dhjetë burra të mirë.

Kjo zeje tashmë është e zorshme të vazhdohet. Kohëve të janë rikthyer shpresat për të vazhduar traditën e pajtonxhiut edhe pasardhësit.

Verën që shkoi, të rralla kanë qenë dasmat që nuk ka qenë i ftuar pajtoni me bartë dhëndrin. Po ashtu është bërë traditë që edhe ritet e synetisë të bëhen me pajton.

“Më ka shkuar shpesh ndërmend që këtë pajton ta restaurojë dhe ta riparojë, por beso se është e zorshme të gjendet ndonjë lloj druri që do të qëndronte kaq gjatë, sa ka qëndruar ky i vjetri”.

Tashmë  edhe turistët e shumtë po i ngacmon kureshtja që të vijmë për ta bërë një shëti me pajtonin e vjetër dhe të bukur.

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prizren e ka pajisur me leje të veçantë pajtonxhiun, që të ketë të drejtë të hyjë në sheshin “Shatërvan”.

Këtu fotografohen turistë e pse jo edhe bëjnë vizita nëpër monumentet historike të këtij qyteti. Edhe gazetat e njohura  gjermane ”Tag” dhe “Zidojçe cajtung” kanë shkruar për pajtonin e Prizrenit.

“Verës ka ardhur një i moshuar nga Gjermania dhe për kalin më ka sjellë një fre të bukur që e ruaj si kujtim të mirë”.

Ajo që dallon kalin është fakti që është ndër nuhatësit më të mirë të minave. Kali është e vetmja  kafshë që arrin të hetojë vendin e minuar.

Nuk ka gjë në botë që mund ta detyrojë kalin të ecë mbi fushat e minuara. Kjo aftësi e kalit në kohë luftërash i ka detyruar oficeret që të udhëtojnë vetëm me pajton.

“Jo më pak se 50 vjet, transporti më i mirë për të sëmurit, ka qenë pajtoni” thotë Kadriu, për qendrapress.

Punën e pajtonxhiut, ai e bënë me shumë dashuri.