Pandemia dhe ‘burrat te shpia’ ndikojnë në rritjen e numrit të lindjeve në Kosovë

Numri i lindjeve në Kosovë viteve të fundit kishte shënuar ulje të ndjeshme. Por, ky trend i uljeve nuk ka ndodhur edhe në vitin 2020, që njihet edhe si viti i pandemisë COVID-19.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2020 kishte 21 mijë 952 lindje, apo 154 lindje më shumë se sa në vitin paraprak, ku sipas statistikave raportohet për 21 mijë 798 lindje.

Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), shifrat tregojnë se në vitin 2020 janë kryer gjithsejtë 8 mijë 786 lindje.

Drejtori i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, Jakup Ismajli, ka thënë se në këtë klinikën, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, nga janari deri në qershor, janë kryer gjithsejtë 4 mijë 210 lindje.

“Në 6 mujorin e parë të vitit 2021 kanë lindur 2 mijë 328 meshkuj dhe 1 mijë 975 femra dhe i kemi pasur nëntë lindje, trinjak”, ka detajuar Ismaili.

Më shumë meshkuj se femra lindën edhe një vit më parë.

Drejtori Ismajli, ka treguar shifrat të cilat tregojnë se në Klinikën Gjinekologjike, në vitin 2019 kishin lindur 497 meshkuj më shumë se femra.

“Gjatë vitit 2020 kanë lindur 4 mijë 703 meshkuj, ndërsa femra 4 mijë 212 dhe tetë lindje trinjakësh”, ka thënë Ismajli për Albanian Post.

Fakti se gjatë vitit 2020 kishim 154 lindje më shumë se sa një vit më parë, besohet që shkaktarë te ketë qenë pandemia.

Sociologia, Makfire Ademi, ka thënë se izolimi ka shtuar kontaktin në mes partnerëve.

“Të pasurit kohë të lirë më shumë për shkak të izolimit në shtëpi, qëndrimi më i gjatë me partnerin, marrëdhëniet seksuale më të shpeshta se në ditët e zakonshme”, ka thënë Ademi për Albanian Post.

Sipas sajë, në shtimin e lindjeve ka ndikuar edhe “mendimet konfuze për të ardhmen se çka do ndodh saktësisht, sa do zgjasë pandemia, duke jetesuar pikërisht dëshirën e të qenit prind”.

Por deri tani viti 2005 mbanë rekordin e numrit të lindjeve në një vit.

Duke regjistruar 37 mijë e 218 lindje. 19 mijë e 431 meshkuj dhe 17 mijë e 787 femra, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave.