PDK thotë se do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së

Partia Demokratike e Kosovës do të ngrehë padi për shpifje ndaj deputetes së Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka njoftuar sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

Çitaku ka thënë se Vetëvendosje po përpiqet ta mbulojë mospunën e vet “duke e atakuar PDK-në se ka lobuar kundër largimit të sanksioneve të BE-së”.

“Të mërkurën mbrëma deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka shpifur se këta zyrtarë janë anëtari i kryesisë Bernard Nikaj dhe ish-zyrtari i PDK-së Petrit Selimi, në tentim për të njollosur dhe denigruar jo vetëm këta si individë, por edhe Partinë Demokratike të Kosovës. Andaj, PDK do të ngrisë padi për shpifje ndaj deputetes Kryeziu-Hyseni. Kosova, fatkeqësisht, është nën sanksione, njëjtë si Rusia dhe Bjellorusia, për shkak të Qeverisë së Vetëvendosjes”, ka thënë ajo.

Çitaku theksoi se masat ndëshkuese Kosovës ia ka sjellë vetë kryeministri Albin Kurti.

“Tani, në gërhamat e fundit të humbjes së tyre, eksponentë të pushtetit, të cilët nuk e kanë bërë asnjë hap për t’i larguar këto masa, duke u përpjekur t’i ikin përgjegjësisë për izolimin ndërkombëtar që ia kanë shkaktuar Kosovës, po e atakojnë PDK-në. Përkundrazi, PDK vazhdimisht ka bërë thirrje për largimin e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, në çdo takim që zyrtarët tanë kanë pasur me përfaqësues të BE-së. Këtë apel e ka bërë edhe kryetari Memli Krasniqi në takimet e njëpasnjëshme në Bruksel, dhe në takimin me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhey”, ka shtuar ajo.