Pezullohen pesë zyrtarë policorë pas videos së protestuesit me këmbë të thyer

Pesë zyrtarë të Policisë së Shtetit në Shqipëri janë pezulluar nga detyra pas publikimit të një videoje ku një protestues 19-vjeçar, me këmbë të thyer, shihet teksa shoqërohet nga policët pranë Parlamentit.

Vendimi për pezullimin e katër punonjësve të policisë dhe të nënkomisarit F. K., shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Sipas njoftimit zyrtar, policia ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën se si është trajtuar i riu nga zyrtarët policorë.

Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj pesë zyrtarëve, ndërsa është ngritur edhe një grup i posaçëm për të shqyrtuar veprimet e policisë nga fillimi deri në përfundim të protestës.

Hetimi do të përfshijë edhe verifikimin e respektimit të procedurave standarde të punës gjatë ndërhyrjes dhe shoqërimit të protestuesit.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se çdo punonjës që konstatohet se ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.

Pezullimi i zyrtarëve vjen pas reagimeve të shkaktuara nga videoja e publikuar në media, ku shihet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga policët për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të rastit dhe nëse gjatë veprimeve policore janë respektuar procedurat përkatëse.