Qeveria themelon grupin punues për hartimin e strategjisë për Apel, Donika Gërvalla nuk merr pjesë

Qeveria ka miratuar themelimin e një grupi punues për “hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë”, raporton express.

Kryeministri Albin Kurti tha se do të punojnë “që të bëhet korrigjimi në shkallën e Apelit” i aktgjykimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët Gjykata Speciale në Hagë më 16 shtator i shpalli fajtorë, duke i dënuar për krime lufte me nga 13 deri në 25 vjet burgim.

“Për këtë, siç kemi thënë më parë, nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët”, tha Kurti.

Ai tha se grupin punues do ta kryesojë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Grupi punues, Kurti tha se do të bëhet “me përfaqësim institucional dhe parlamentar”.

Në këtë mënyrë, sipas Kurtit, po konkretizohet zotimi i Qeverisë për t’u angazhuar për mbrojtjen e luftës së UÇK-së.

“Me këtë vendim, po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, tha ai.

Kurti tha se “në Apel na duhet suksesi, e për këtë gjë nevojitet organizim e strategji shtetërore e kombëtare”.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme të Qeverisë ku u miratua themelimi i një grupi punues për mbështetjen institucionale në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.