Plas ironia me shërbimin diplomatik: Kështu bëhesh diplomat në Kosovë

Ka plasur sot ironia me shërbimin tonë diplomatik, pas emërimit të djalit të Haxhi Shalës konsull në Çeki. Pos Presidencës, reagime ka pasur edhe nga LVV e PDK, dy parti këto opozitare.

‘Kështu bëhesh diplomat kur je djali i Haxhi Shalës’ – kanë ironizuar në LVV.

Sekretari për marrëdhënie me jashtë në Lëvizjen Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti ka thënë se në Kosovë mund të ndjeken dy rrugë për t’u bërë diplomat. Njëra është ajo ligjore e tjera si rasti i fundit kur je djali i Haxhi Shalës.

“Rruga e djalit të Haxhi Shales për t’u bërë diplomat: E blen biletën e aeroplanit dhe niset për në mision diplomatik, si shef i misionit diplomatik pa kandiduar asnjëherë e pa punuar asnjë sekond në MPJD”, ka thënë ai

Nga PDK-ja ndërkaq, ka thënë se ky është emërim i bazuar në pazar.

Deputetja Ariana Musliu Shoshi ka thënë se qeveria po dështon të përfaqësojë interesat e qytetarëve brenda Kosoves dhe Kosovën në nivelin ndërkombëtar, duke rikujtuar seka  kohë që Kosova ka mbetur pa ambasadorë në disa shtete.

“Ka kohë që Kosova ka mbetë pa zërin e saj diplomatik në qendrat kryesore vendimmarrëse: Uashington, Londër, Belgjikë ,Tokio”, ka thënë ajo.

“Kjo mungesë e prezencës shtetërore të Kosovës tregon mos-koordinimin dhe pa përgjegjësi të qeverisë për të mbrojtur interesin shtetëror përpara atij partiak, në kohën kur shteti ynë ka nevojë më shumë se kurrë të mbroj të vërtetën dhe sakrifcën e këtij populli. Emërimet e bazuara në pazare politike nuk sigurojnë përfaqësimin për të cilin ka nevojë Kosova”, tha ajo.