Pogragja organizohet për një ambient më të shëndetshëm

Këshilli lokal në Pogragjë, në koordinim me Shoqatën “Pogragja”, ka vendosur që të gjithë banorët e këtij fshati, të cilët janë të punësuar në sektorin publik ose privat, tash e tutje të bëjnë një pagesë anëtarësie vjetore në shumë prej 10 euro e më tepër, varësisht nga gatishmëria e secilit, për nevoja të mirëmbajtjes së ambientit.

Këshilli vlerëson se kjo pagesë simbolike është e domosdoshme për ata që po punojnë që Pogragja të jetë një nga fshatrat më të bukura dhe më të pastra.

Pagesa e anëtarësisë bëhet te koordinatori i shoqatës, Sami Durmishi.

Vendimit për pagesë vjetore të anëtarësisë, iu përgjigjen anëtarët e Këshillit të fshatit Arton Fetahu, Muhamed Islami, Ismajlhaki Mustafa (Kiki), Kadrush Limani, Fatbardh Hajrizi, Erduan Shabani dhe Fatlume Durmishi.

Gjithashtu, me qëllim të eliminimit të problemit me mbeturina dhe mos hedhjes së tyre në vende jo të caktuara, Këshilli i fshatit njofton banorët e Pogragjës se nga muaji mars fillon evidentimi i rasteve që nuk bëjnë pagesën e mbeturinave.

Tashmë janë marrë listat nga “Ecohigjiena” të cilat do të korrigjohen dhe përmirësohen.

Luten të gjithë banorët që jetojnë në Pogragjë, me përjashtim të rasteve sociale dhe atyre të liruar me ligj, që tash e tutje të jenë parapagues të rregullt, në të kundërtën emrat e tyre do të publikohen dhe do të dërgohen në institucionet përgjegjëse.

Për ata që janë duke punuar në botën e jashtme, nga “Ecohigjiena” është e caktuar pagesa vjetore prej 20 euro.

Këshilli i fshatit dhe shoqata “Pogragja” janë të bindur se këto nisma do të përkrahen nga banorët e fshatit./mediafokus.info