Sylejmani: Pa ndryshime në sistemin arsimor, nuk ka rezultate më të mira në PISA

Rezultatet e dobëta në testin PISA të nxënësve tanë, nuk e kanë befasuar edhe aq arsimtarin me përvojë në Gjilan, Fehmi Sylejmanin. Ai, shkaktarët e këtij dështimi i sheh te sistemi arsimor, ku manifestohen një varg të metash.

Përderisa pranojmë nxënës e studentë pa kritere, përderisa kalojmë nxënës e studentë pa dije, përderisa pranojmë akreditime pa kritere e pa standarde dhe prodhojmë më shumë doktorësh shkencash në letër se sa doktorë të vërtetë shkencash, përderisa pranojmë mësimdhënës mbi baza partiake dhe nepotiste, përzgjedhim drejtorë partiakë e të tjera, gjendja në arsimin kosovar do të jetë e këtillë, thotë Sylejmani.

Sylejmani, një njohës i mirë i problemeve arsimore dhe njëherit anëtar i Komitetit të arsimit, thotë se sistemi arsimor në instancat qendrore është i mbingarkuar me zyrtarë të panevojshëm, politikë dhe të paditur.

Arsimi funksionon pa mekanizma inspektues, pa këshilla pedagogjik-didaktik, ndërsa suksesi i nxënësve nuk pasqyron merita dhe rezultate reale, por është artificial.

Ne i mbyllim sytë gjatë testitit të arritshmërisë dhe maturës, arsyetojmë pa kurrfarë dëshmie mungesat e paarsyeshme, formojmë dhe krijojmë drejtime të pa nevojshme (elektorale) në shkolla të mesme dhe fakultete, krijojmë sistem  mekanik e jo kritik e logjik.

Për më tepër, arsimtari i matematikës, Fehmi Sylejmani thotë se arsimi jonë nuk krijon ambient të përshtatshëm dhe të këndshëm për nxënës, ka mungesa të pajisjeve digjitale në shkolla (Estonia ka kohë që e ka hequr  prej përdorimit letrën dhe punon vetëm me teknologji të avancuar), mungon komponenti i edukimit, ndërsa mbizotëron vetëm ai i arsimimit, që më tepër është model klasik.

Sylejmani thotë se për këto dobësi në arsim, duhet të mbajë përgjegjësi dikush.

Te ne  nuk ndëshkohen shkelësit e ligjeve dhe dispozitave ligjore.

Prandaj duke i parë të gjitha këto dobësi, nuk është fare e çuditshme, mbase edhe e  pritshme rezultati i Kosovës në testin PISA, ndonëse ky rangim në “bisht të tabelës” duhet të jetë tepër shqetësues për të gjithë ne. Natyrisht, përgjegjësia më e madhe  u takon organeve arsimore të Kosovës, thotë Sylejmani.