Policia jep detaje tjera për aksidentin në afërsi të Gjilanit, ku vdiq 32-vjeçari

Burhan Ferati, një 32-vjeçar nga Gjilani, ka humbur jetën sonte, si pasojë e një aksidenti mes dy veturave që ka ndodhur rreth orës 18:33 në rrugën Preshevë – Gjilan, ndërmjet fshatrave Velekincë e Pasjan.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, togeri Ismet Hashani ka thënë se i riu ka ndërruar jetë në QKUK, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor, për shkak të lëndimeve që kishte marrë në këtë aksident.

Në këtë aksident janë lënduar edhe tre persona të tjerë, të cilët pas trajtimit mjekësor në Gjilan, janë liruar për në shtëpi.

“Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy drejtuesit e dy veturave dhe dy pasagjerë. Drejtuesi B.F. (1989) i ipet ndihma e parë në QF – Gjilan. I njëjti transferohet për në Prishtinë në QKUK, kurse të lënduari e tjerë lirohen për në shtëpi. Nga QKUK – Prishtinë jemi njoftuar se drejtuesi B.F., (1989) edhe përkundër përpjekjeve të mjekëve për ndihmë të ofruar, për shkak të plagëve të rënda të pësuara në aksident, nuk ka mund t’u mbijetojë plagëve të pësuara”, tha Hashani.

Sipas hetimeve të para, dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur kur automjeti “Golf” me targa 06 ka qenë duke lëvizur në drejtimin Pasjan – Gjilan dhe i njëjti dyshohet se është përplasur me veturën “Astra” po ashtu me targa 06, e cila ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt.

Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë i 32-vjeçarit të dërgohet për obduksion në IML në Prishtinë.