Preshevarja Vlera Halimi Fazlija zgjidhet sekretare sektori në Asociacionin Amerikan të Shëndetit Publik
Profesoresha nga Presheva, Vlera Halimi Fazlija, e cila jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj akademike dhe profesionale, shkruan rtvpresheva.
Ajo është zgjedhur Sekretare e Seksionit të Shëndetit Oral (Oral Health Section) në Asociacionin Amerikan të Shëndetit Publik (APHA), një organizatë e rëndësishme profesionale në fushën e shëndetit publik në SHBA.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Fazlija, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë përvojën e saj nga pjesëmarrja në konferencën vjetore të APHA 2026, e mbajtur në San Antonio të Teksasit.
Në këtë konferencë, ajo prezantoi edhe punën e saj kërkimore, duke shkëmbyer përvoja me profesionistë të shëndetit publik dhe duke diskutuar çështje që lidhen me barazinë në shëndetësi, drejtësinë sociale dhe avancimin e shëndetit oral.
Fazlija u shpreh se është e nderuar me besimin e marrë dhe se pret të kontribuojë në misionin e organizatës për avancimin e barazisë në shëndetin oral dhe mbështetjen e politikave të shëndetit publik.
Ajo theksoi gjithashtu se njohuritë dhe përvojat e fituara do t’i ndajë me studentët dhe kolegët e saj, duke i shfrytëzuar ato për të pasuruar procesin mësimor, kërkimin shkencor dhe praktikën profesionale.
Ky vlerësim përbën një arritje të rëndësishme profesionale për Vlera Halimi Fazlijën dhe një sukses që i jep krenari edhe Preshevës.

