Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!…

Izmi Zeka

Lëreni more djalin që ka fituar zgjedhjet të tregoj për Aristotelin apo Dekartin, të recitojë ndonjë poezi të Dritëroit, por bënë të na tregoj edhe për Maksim Gorkin. Nuk ka asgjë të keqe, diversiteti është pasuri kombëtare pse jo Marksi, Engelsi, Lenini ishin njerëz të dijes e të teorisë, ku idetë e tyre kanë zënë vend në shumë koka njerëzore. Nuk ka të keqe asgjë, të lexuarit është pasion, nevojë, zhvillim, ngritje dhe më shumë se kurrë ne kemi nevojë për, Çe Ge Varen që unë e adhuroj shumë, për revolucionaritetin e tij.

Lëreni more djalin që të formësoj në praktikë idetë filozofike, sociologjike dhe psikologjike në arealin kosovar, e pastaj gradualisht të shtrihemi edhe në Evropë. Kemi nevojë për Hegelin, Ajshtajnin e pse jo edhe për filmin Lulëkuqet mbi murë. Unë jam rritur me to, jam frymëzuar dhe edukuar për një jetë të tërë.

Nuk ka të keqe prej leximit apo edhe për eksperimentet nga teoria në praktikën kosovare të shtetit. Jemi vend i zhvilluar, kemi forcën ekonomike e ushtarake e përveç kësaj ne edhe vdesim për vatan si shumë burra të këtij vendi.

Kush janë Amerikanët për ne shqiptarët. Jemi mbi 7 milionë. Edhe në Turqi ka me miliona. Ju si duket nuk keni lexuar shumë as shkencat ekzakte e as filozofinë.

Kosova ka nevojë për njerëz që kanë lexuar Ezopin, për revolucionin borgjez Francez, për Luigjët. Ju si duket nuk e keni lexuar as edhe Adolf Hitlerin, jetën e tij dhe ngritjen. Ai ishte njeri i lexuar.

Nuk ka të keqe prej leximit. E shihni kush është Kadareja e Rexhep Qosja. Këta janë tanët dhe ndoshta nuk na pëlqejnë, por e vlen për ti lexuar pasi po i lexojnë të huajtë. Ne duhet të ndërrojmë sistemin në Kosovë, sepse nuk bëhet kijameti, kështu po them unë, kam fituar edhe pikë.

Lëreni morë djalin të lexojë ende se aty dikund tek revolucioni i tetorit në Rusi ishin themelet e internacionales komuniste. Demokracia nuk është për shqiptarët. Shqiptarëve duhet shpërlarë trurin dhe pikë. Nga dija filozofike e revolucionare vjen edhe fuqia, reagimi dhe mosdorëzimi.

Revolucioni po troket në derë. A, harrova Trockin mos e leni pa e lexuar e në këtë rrafsh bënë edhe Pushkinin. Unë si një mësues i historisë, kam lexuar edhe për Skënderbeun. Ani shkruante në libra se ai mbrojti civilizimin evropian. Çfarë hipokrizie Evropiane. Ai ishte Turk i rritur në pallatin e Sulltanit. E ne sot themi se ai bëri këtë apo atë. Ai nuk fliste shqip. Bile atëherë ishin do fise, nuk di a ishin shqiptarë apo Arbër. Ani Barleti fliste dhe shkruante për të. Shkruanin edhe Francezët, Italianët e disa popuj tjerë dhe i ngritnin përmendore. Çudi se si një turk mbrojti civilizimin evropian dhe pushtimin për kohë të gjatë nga perandoria osmane. Mos të harroj se në atë kohë nuk kishte kombe.

Mbeta pa përmendur Kuvendin e Lezhës i cili mbeti sa për të thënë. Ika shumë larg në histori, duke menduar se unë e njohë zanatin tim. Nëna Terezë kush ishte, po Aleksandër Moisiu?!…

Lëreni more djalin i ka fituar zgjedhjet, ndaq të shkojnë me lindje ndaq me perëndim. Ai ka studiuar filozofinë e ndërtimit të shtetit dhe orientimet strategjike të një vendi të pasluftës.

Harrova me përmend Rene Dekartin, më duket se ishte një filozof i mençur. Ai ligjëronte orë të tëra.
Po Abdyli, Naimi e Samiu çfarë bënë?!… Shërbyen në Perandorinë Osmane. Hoxha Hasan Tahsini, Pashko Vasa, ky i fundit nuk di a e dinte shqipen. Një poemë e kishte shkruar “o moj Shqipni”, por çka na hyri në funksion.

Ky djali i ri apo i gjeneratës së re i di të gjitha. Edhe idhulli im i dinte të gjitha, shoku Enver Hoxha që udhëhoqi Shqipërinë për 40 vjet.

Ani shqiponja dy krenare, Paqja e Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit, Vudrou Vilsoni etj., pasqyrë interesante për filozofët dhe sociologët e kohës së sotme për studim.

Harrova nuk e përmenda Stalinin, një proletar që i hëngri mbi 10 milionë veta në pushtetin e tij.

Është mbrëmje e vonë dhe si duket po më ngatërrohen duke përmendur sa filozofë, shkrimtar, ideatorë, dijetarë, diktatorë,me një fjalë i kam futur të gjithë në një thes.

Në fund proletar të të gjitha vendeve bashkohuni!…

Po vjen ora e historisë në Kosovën tonë të dashur.