Pse shajmë në Facebook, por jo në jetën reale dhe në shoqëri të ngushtë?
Selatin Mehmeti
Në jetë reale shumica prej nesh jemi të qetë e të urtë, respektojmë komshiun dhe çdo gje qe na del përpara.
Por sapo futemi në Facebook, sikur tjetersohemi dhe nuk na njeh askush më. Jemi komplet tjerë njerëz dhe sikur nuk jemi ata që respektojnë tjetrin.
Në facebook të delë dreçi që s’e kemi kurrë në tavolinë me shokë e te tjerë.
Pse ndodh kjo?
Sepse Facebook-u është vend ku nuk jepet përgjegjësi.
Atje nuk sheh fytyrën e tjetrit, nuk e ndjen turpin, nuk ke sy që të shikojnë.
Shkruajmë çdo gjë – sidomos negativitet, sepse askush nuk na kërkon llogari.
Dhe kur s’kemi argument, kur s’kemi dije, kur nuk kemi as tregime personale… më e lehta është sharja.
Facebook-u është arenë për me sha, jo për me bisedu.
Çdo gjë komentohet negativisht:
– bëhet diçka e mirë, e shajmë
– bëhet diçka e keqe, e shajmë
– kundërshtari politik flet, e shajmë edhe nëse ka thënë diçka të drejtë.
Djali im jeton në Suedi, e pyes ndojherë për jeten dhe se..
Si sillen njerëzit atje?
Për çka bisedojnë?
A flasin për politikë si tek ne?
M’u përgjigj me diçka që më mbeti në mend: “Babë, këtu mundesh me bisedu për gjithçka – përveç jetës private të njeriut.”
Kjo do të thotë:
– nuk e pyet askënd për kë voton
– nuk e pyet për fenë, prejardhjen, racën
– nuk e pyet sa fiton, sa ka rrogën
– nuk e pyet për familjen, gruan, fëmijët
– nuk futesh në gjëra që nuk të takojnë.
Në Suedi, nëse heq bisedat mbi privatësinë, njerëzit prapë kanë çfarë të tregojnë: përvoja personale, udhëtime, libra, hobitë, projektet, idetë – tregime të jetuara.
Po tek ne?
Nëse i heqim pyetjet për politikën, thashethemet, rrogën e tjetrit, fenë e tjetrit, historinë e komshiut… shumica mbeten pa muhabet.
Sepse shpesh nuk kemi tregime nga jeta jonë, prandaj merremi me jetën e të tjerëve.
Shajmë, sepse nuk dimë çka të flasim.
Shajmë, sepse nuk jemi të përmbushur me tregime personale.
Shajmë, sepse Facebook-u e bën të lehtë atë që sy për sy nuk guxojmë ta bëjmë kurrë.

