Rikardi i madh iku në “rrugë të bardha”

Bedri Islami

Rikard Ljarja nuk është më. Aristi i shquar, regjisori, kineasti i shquar, idoli ynë i rinisë, shkodrani jetëplot dhe njeriu i shkëlqyer nuk do të jetë nga dita e sotme mes atyre që e donin dhe i donte marrëzisht.

Njeri energjik, plot jetë, që e shprehte këtë që nga ecja e tij, nga duart që nuk i rrinin në një vend, edhe kur fliste, nga pasioni me të cilin përcillte fjalët, nga mënyra se si shtjellonte idetë e tij, gazplotë, duke e bërë të pranishëm kudo afërsinë e tij; kurrë një herë statik, i palëvizshëm, i mënjanuar, përkundrazi pjesë e të gjithëve dhe me të gjithë.

Mendoj për ditët kur u shfaq për herë të parë në dy filma të shkëlqyer, “Dueli i heshtur” dhe “Komisari i dritës”, mbështetur në ngjarje reale, dhe, kur ai kalonte rrugëve të qytetit të tij magjik, Shkodrës së mbretërve, shikimet ktheheshin nga ai; plot jetë, i bukur, trupgjatë, që i përshendeste njerëzit duke vënë dorën në zemër, me tingullin e veçantë të zërit të tij, ku ndjehej në të njëjtën kohë butësia dhe ashpërsia, si rrjedhë e bardhë përrenjsh malorë që zbuten në cektinat para derdhjes në lumejtë fshikullues; ndalej me miqtë e tij, tundte përsëri dorën dhe, mund të duket e habitshme, ..skuqej se ishte i njohur dhe po bëhej i famshëm.

Me humorin e trashëguar, folës dhe njohës i shkëlqyer i gjuhës gjermane, ai mbetet njëri ndër margaritarët më të shquar të kurorës së Artit të Madh Shqiptar.

Askush nuk mund të luajë më disa nga rolet e tij, kujtoni Dedën tek “Rrugët e bardha”, pak kush mund të jetë në të njëjtën kohë aq i besueshëm, njerëzor apo edhe tragjik; sytë e pak artistëve mund të shprehnin atë që sillnin në ekran sytë e Rikardit; lëvizjet e një grushti të vogël artistësh mund të kishin aq gjallëri sa lëvizjet e tij; rrallë herë e kam dëgjuar të sjellë aq madhërishëm monologun e Mark Antonit nga tragjedia “Jul Qezari”, dhe, si një verior i përkushtuar, në asnjë regjisor tjetër nuk ka më shumë male, bjeshkë e jetë njerëzore në Malësitë tona, sa në filmat e tij.

Nuk është më, por ka qenë kurdorë i qetë, si një njeri i njohur, që e dinte se kishte bërë më të mirën e mundshme.

Por mund të ishte edhe pak i njohur, gjysëm i harruar dhe për të një brez të tërë, mund të kishte qenë krejt i panjohur, një emër që shkoi dhe një kujtim i zbehtë.

Përse e shkruaj këtë?

Prej disa kohësh, më saktë që në ndërrimin e sistemit, shumë “fatkoj” të politikës së mohimit të gjithçkaje të krijuar në monizëm, kërkonin dhe e kërkojnë me ngulm edhe sot e kësaj dite, për 30 vite rrjesht, që çdo gjë e krijuar pas vitit 1945 në botën e artit dhe të letërsisë, të muzikës apo të teatrit, të shkatërrohet, të hidhet poshtë, të zhduket, të ndalohet, të linçohet, dhe, në rastin më “lejues”, të damkosen, ashtu si izraelitët më yllin e tyre në nazisëm.

Një egërsi e pashoqe për gjithçka të krijuar, megjithëse ende ndriçohen nga hidrocentralet e asaj periudhe, një shfrim i pazakontë mërie në të shkruar dhe ligjëruar, megjithëse kishin mësuar në shkollat e hapura në atë periudhë dhe , po të kishte qenë një periudhë tjetër, shumë prej tyre do të kishin qenë çobanë, një institut i tërë përçudnues që Herojtë i shpall njerëz të krimit….pra , një tufë e çartur njerëzore kërkonin kataklizëm të krijimit, të së bukurës, duke mos dashur dhe harruar se, edhe në atë kohë, kur ata ishin askushi, ka pasur krijime të denja dhe vepra të së bukurës.

Mendoni për një çast të ishin të ndaluar të gjitha: vallet, këngët, pikturat, monumentet, filmat, muzika, poezia, dhe të mos kishte pasur asgjë në kujtesën tonë.

Nuk do e kishim njohur Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën, Ndrek Lucën, Violeta Manushin, artistin Naim Frasheri, Tinka Kurtin, Roza Anagnostin, Sandër Prosin, Mevlan Shanaj, Piro Manin, Margerita Xhepën, nuk do të dinim asgjë për Limoz Dizdarin, Kujtim Laron, Agim Prodanin, për Sali Shijakun, Abdurrahim Buzën, për Agron Aliajn, Muntaz Dhramin…nuk do e dinim se dikur kishte qenë një artiste e madhe si Vaçe Zela me këngët e saj për Shqipërinë, një zë i shkëlqywer si ai i Gaqo Çakos, nuk do i dinim vargjet e Gjokë Becit, Xhevahir Spahiut, Dritëroit, do të habiteshim përse lexohet Kadareja, kush është Fatos Arapi, cila ishte rruga e Moikomit – një rrugë e dritëzuar nga arti dhe mendimi; pra, do të kishim humbur një pjesë të mendimit tonë…e mes tyre, edhe emrin e Artistit të PASHOQ, për të cilin ndjejmë dhimbjen sot.

Atëherë Rikardi do të ishte vetëm një emër i humbur, jo ai që e dimë të gjithë se është…

Mediokriteti nuk i mund kurrë vlerat.

Kam qëndruar shpesh herë me Rikardin, por kurrë jo sa duhet. Një bashkëbisedues i shkëlqyer dhe një shkodran i dimensionit të jashtëzakonshëm.

Ai, si kishte shkruar miku im, Namik Dokle, në këtë gjendje të habitshme, nuk do të përcillet nga të gjitha ata që do të donin t’i thonin lamtumirën e fundit, por mbi të, si në legjenda, gjamën e ndarjes do ia bëjë Ajkuna, njëjtë si Omerit të saj.

Lamtumirë, o njeri i shkëlqyer dhe Artist i dimensioneve të pazakonta!

Ashtu si e munde të djeshmen, do të fitosh edhe mbi të ardhmen!

Ky është fati yt!

Shtuttgart, 21 Prill 2020