Rikujtim: Zija Aliu ishte ikona e vallës së Karadakut
Pesë vite më parë, pikërisht më 4 shtator, iku nga kjo botë valltari e veprimtari i njohur i anës së Karadakut, Zija Aliu-Remniku.
Jo vetëm vallja, por edhe humanizmi që kishte Zija Aliu, e bënte atë një njeri të rrallë, që nuk mund të harrohet lehtë.
Zija Aliu u lind më 22 janar 1951, në fshatin Remnik, komuna e Vitisë, ku e kreu shkollimin fillor.
Shkollimin e mesëm (Normalen) e kreu në Gjilan e Ferizaj (shkaku se u përjashtua në Gjilan, si pjesmarrës i demonstrative të vitit 1968).
Nga viti 1972 – 1992, punoi mësimdhënës nëpër shumë shkolla fillore në komunën e Vitisë.
Në vitet 1982 – 1987 i përjashtuar nga procesi mësimor, shkaku i vënies në skenë të Valles së Kaçakëve, në Festivalin Ballkanik të Folklorit “Ohri ‘81”.
Nga viti 1992 e këndej, ushtron biznes privat si dhe veprimtari kulturore.
Ka qenë anëtar i SHKA “Zenel Hajdini” – Gjilan, “Kastrioti” – Ferizaj. Themelues i SHKA “Rreze Dielli” – Remnik. Ka vepruar në SHKA “Ramiz Sadiku” dhe në Anamblin “Shota” – Prishtinë.
Në vitin 1976 themelon ansamblin e folklorit në nivelin komunal të Vitisë, i pagëzuar së voni me emrin e dëshmorit ‘Kemajl Azizi’.
Ka marrë pjesë në dhjetëra e dhjetëra festivale në nivel vendi që nga Gjilani, Gllogovci, Prizreni e Prishtina, në dhjetëra e dhjetëra përfaqësime të Kosovës, në shtete të ndryshme të Ballkanit e Europës.
Po ashtu ka qenë anëtar i AKV Gurra nga Gjilani, si valltar por edhe performues i lojërave popullore dhe sponzorizues i veprimtarive brenda e jashtë Kosovës.
Ka marrë shumë shpërblime: Tri herë, valltari më i mirë i Kosovës për luajtjen dhe demonstrimin e valleve burimore të Karadakut.
Në vitin 2005, në një festival të folklorit në Francë, në mesin e 16 shteteve pjesëmarrëse, nderohet me Kupën “Ganat 2005”.
Më 2006, në Ankara të Turqisë u ndahet Shpërblimi Special për kontribut të veçantë dhënë kulturës.
Më 2008, në Shqipëri (Bajram Curri 2008)
Çmimi i madh “Panajot Kanaqi, si valltari më i mirë.
Eshtë marrë edhe me veprimtari humanitare, pajtimin e gjaqeve, konflikteve e ngatërresave të ndryshme në Viti e Anamoravë.
Ka sponzorizuar shumë veprimtari kulturore përmes firmës private PRES – COM – Viti.
Ndihmues i familjeve skamnore dhe shoqatave të ndryshme të themeluara pas luftës.
Zija Aliu ishte njohës, kultivues dhe afirmues i traditave kulturore shqiptare të Krahinës së Karadakut, të cilës po i mungon prej vitesh, ndonëse emri i tij do të mbetet i pavdekshëm.
Mbi të gjitha ishte ikonë e valles së Karadakut./Mediafokus.info

