Shqetësojnë rastet e dhunës në familje, burrat s`po kuptojnë ende që gratë nuk janë ‘robëresha’ të tyre

Burrat e ‘fortë’ të Kosovës duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se gratë e tyre nuk pranojnë më të jenë ‘robëresha’ dhe të mos ngrehin dorë mbi to për arsye banale, shkruan portali Mediafokus.info

Vetëm sot, në raportin 24-orësh të policisë së Kosovës, figurojnë 5 raste të dhunës në familje, të cilat kanë ndodhur në rajonet e Prishtinës, Gjilanit, Prizrenit, Pejës, Gjakovës.

Shtimi i rasteve të dhunës në familje, është një dukuri brengosëse në shoqërinë tonë, sado që shpeshherë thuhet se shifrat flasin për një rritje të vetëdijes së femrave për t`i raportuar rastet dhe nuk bëhet fjalë për shtim të dhunës.

Sidoqoftë, burrat duhet ta pranojnë realitetin e ri dhe të mos i sfidojnë gratë e tyre vetëm me punët e shtëpisë dhe lindjen e rritjen e fëmijëve, sado që familja mbetet qeliza e një shoqërie të shëndoshë. Kjo përgjegjësi bie njësoj mbi të dy bashkëshortët dhe ashtu duhet të pranohet.

Femrat shqiptare nuk pranojnë në këtë shekull të shihen e trajtohen vetëm si ‘gra të shpisë’, as vetëm si numra, por të tilla siç janë në realitet, gjysma e shoqërisë, pjesëtare të barabarta të saj, të arsimuara, të ngritura e të denja të udhëheqin institucione dhe shtetin.

Për të afirmuar rolin e fermës në shoqëri, nëpër komunat e Kosovës janë themeluar edhe Grupe të Grave, të cilat lobojnë për avancimin e barazisë gjinore.

Gratë tona kanë dëshmuar se dinë të bashkohen pavarësisht dallimeve politike, kur është në pyetje pozita e tyre në shoqëri.

Burrat e politikës duhet ta kuptojnë se përfaqësimi nuk është dimension gjinor dhe as privilegj i meshkujve.

Në demokraci është e pamundur që grave t`u imponohet koncepti “robëreshë e burrit”./Mediafokus.info