Ushtari gjerman e gjeti orën e gjyshit te ustai shqiptar pas 24 vitesh

Më 1944 një ushtar gjerman lë një orë me u ndreqë te dugaja e Nuh Sahatçisë, dikund te Çinari i Hoxhë Dheut në Shkodër. Prej luftës ushtria kaloi, e mbas saj edhe ushtari dhe sahati mbeti në dugajën e Nuh Sahatçisë.

Më 1968 veterani i ushtrisë erdhi në Shqipni turist. Në mënyrë që me pa për sahatin që kishte lanë në Shkodër, meqë e kishte kujtim prej gjyshit, dhe u hjek sikur ia kishte lanë porosi një shok.

Turisti gjerman erdhi me grup, bujti te Turizmi i Shkodrës dhe pyeti sportelistin për orëndreqësin që shoku i vet ia kishte përshkrue se punonte kambëturqisht mbi postiqe sikur turqit.

Nuk shkoi gjatë dhe sportelisti e gjeti se për kë bahej fjalë dhe se sahatçia vazhdonte me punue, kështu konsultohet me një përkthyesin e grupit dhe një punonjës të Sigurimit që i shoqnonte.

Ia gjejnë shtëpinë Sahatçijejve dhe u trokasin në derë, ua kallzuen se si qe puna dhe nëse sahati nuk u gjendej për shumë arsye nuk prishte punë.

Nuhu u thotë se orën e kishte, në dugajë, të nesërmen mund të vinte me e marrë gjatë orarit kur ishte në punë.

Të nesërmen gjermani me përkthyesin i shkojnë në dugajë sahatçisë, e gjejnë ndejun kambëturqisht mbi postiqe me tavolinën e vogël të punës përpara.

– Bujrum! – i grish sahatçia.
– Puna mbarë usta! Kena ardhë për sahatin që biseduem mbramë, – i flet përkthyesi.
– Çfarë soj sahatit bahet fjalë, m’kallzo.
– Erberhard, zvicerane.

Nuhi çohet dhe shkon te kasaforta, e hap dhe prej aty nxjerr orën, ua kurdis para syve dhe u thotë dashamirësisht:
– Ta gëzojnë!

Gjermani merr me qitë një tufë markash dhe e pyet se sa i detyrohet. Sahatçia i difton faturën që e kishte shënue se pagesa asht krye prej të zotit të sahatit kur e ka pru gjatë luftës.

Gjermani i mrekulluem merr me i lanë diçka për kohën që e ka mbajtë.
– Kurrgja nuk ka me pague, – shton sahatçia, – asht amanet.

Gjermani e fton për kafe, por axha Nuh me dorën në zemër i falenderon dhe u thotë se ishte agjinueshëm. Atëherë gjermani mori me hjekë sahatin e vet prej doret me ia dhanë hedije, por as këtë sahatçia nuk ia pranoi. Kështu, tuj dalë, gjermani ia la në prehën dhe iku.

Me t’u kthye në Gjermani, turisti e shkroi ngjarjen te një revistë, ku përshkruhej esnafllëku i zanatçisë shkodran.

Më 1995 një grup xhirimi gjerman, mbasi xhiruen pamje të Shkodrës, biseduen me t’afërm dhe njerëz që e kanë njoftë, i kushtuen një dokumentar ngjarjes së sahatit.

(Në foto Nuh Sahatçia me një shok, 1937, f. Marubi)