Thaçi ka kërkuar të dërgohet në arrest shtëpiak në Slloveni

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që në vazhdim të gjykimit të tij nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën e fundit në Kosovë – të mbrohet nga arresti shtëpiak dhe – meqë kërkohet një vend i tretë për të qëndruar – ai ka zgjedhur Slloveninë.

Kështu raporton mediumi slloven Necenzurirano në një shkrim ku flitet në detaje për procesin e ekstradimit të Thaçit në Slloveni, për ta vazhduar mbrojtjen nga arresti shtëpiak.

“Ky informacion na është konfirmuar nga disa burime brenda Sllovenisë dhe jashtë saj po ashtu”, shkruajnë Primosh Cirman dhe Tomas Modic, dy gazetarët që kanë publikuar artikullin në mediumin investigativ Necenzurirano.

Nga Specialja ende nuk janë deklaruar për këtë çështje, por dokumentet e Gjykatës që janë publikë, tregojnë se Thaçi kishte kërkuar lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar.

Dokumentet e Gjykatës që tregojnë se Thaçi kishte kërkuar lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai është pajtuar edhe me mundësinë që të jetë në arrest shtëpiak gjatë gjykimit, në një vend “që është një shtet i tretë dhe që nuk është në kufij me Kosovën”.

Dokumentet e gjykatës megjithatë nuk tregojnë se cili është vendi i kërkuar nga Thaçi, por mediumi slloven shkruan se kanë informacione që përzgjedhja e parë e ish-themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është Sllovenia.

Madje, në artikull thuhet se Thaçi ka kontaktuar edhe me njerëz brenda qeverisë sllovene për të parë mundësinë e dërgimit të tij në Slloveni dhe për t’u siguruar se qeveria sllovene do të bëhet garant, duke siguruar gjykatën se “Thaçi nuk do ta lërë territorin slloven gjatë kohës sa gjykohet”.

Gjykata gjithashtu nuk është përgjigjur në pyetjen se nëse qeveria sllovene e ka ofruar tashmë garancinë. Gazetës nuk i është përgjigjur as ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Anze Logar.

Dokumentet publike të gjykatës tregojnë se gjykata në Hage ia kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje nga arresti shtëpiak Thaçit.

Kjo kishte ndodhur në janar të këtij viti, meqë ishte arsyetuar se Thaçi mund ta shfrytëzojë rastin për të ikur, dhe gjithashtu gjykata kishte pasur frikë se Thaçi mund të ndikojë te dëshmitarët. Sipas gjyqtarëve, Thaçi mund ta ushtrojë këtë ndikim edhe po që se mbahet në një shtet të tretë.

Por, gjykata mund t’i bëjë një rivlerësim kërkesë së Thaçit, meqë një nga gjyqtarët, gjermani Kai Ambos, në një opinion të tij ka shkruar se duhet “konsideruar seriozisht”, kërkesa e Thaçit “nëse ai merr ndonjë ofertë nga ndonjë vend i tretë si garantues për të”.

Ai shkruan se “një ofertë e tillë do të ishte një argument i fortë për Thaçin”, derisa shtonte se “Thaçi është i bindur se do të mundet ta sigurojë këtë mbështetje nga një vend i tretë”.

Dokumentet nga Gjykata Speciale: Thaçi “është konfident se do të sigurojë lejen për të qëndrim nga një vend i tretë”

Sipas Necenzurirano, kjo ka ndodhur në kohën kur Thaçi veçse kishte kontaktuar autoritetet sllovene. Sipas procedurës, gjykata rishikon mundësitë e arrestit shtëpiak për Thaçin dhe shikon nëse janë bërë kushtet çdo dy muaj.

Pyetjeve për këtë lëvizje potenciale të Thaçit në drejtim të Sllovenisë, nuk u është përgjigjur as avokati i tij, amerikani Gerogy Kehoe.Mediumi slloven në një pjesë të tekstit shkruan edhe për afërsinë që Thaçi ka pasur gjithmonë me autoritet sllovene dhe me kryeministrin aktual slloven Janez Jansha.

Ceket gjithashtu edhe vizita private që Janez Jansha i kishte bërë Thaçit në vitin 2011, kur ish-kryeministri i Kosovës, ishte ende në opozitë.Për këtë zhvillim nuk kanë komentuar ende as nga institucionet në Kosovë.

Ministria e Jashtme e Kosovë po ashtu nuk ka dhënë ende ndonjë koment.

Thaçi po mbahet në Hagë bashkë me dy nga ish-bashkëthemeluesit e UÇK-së dhe bashkëpartiakët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, derisa në Hagë janë edhe Rexhep Selimi e ish-komandantë të tjerë të UÇK-së.Akuza për të gjithë është e njëjtë.

Sipas prokurorisë në Speciale, themeluesit e UÇK-së kanë kryer krime në luftën e fundit, ose duke marrë pjesë ose duke i lejuar ato pasi ishin në zinxhirin komandues.Të gjithë nga të akuzuarit i kanë mohuar kategorikisht akuzat që rëndojnë mbi ta. Ata janë deklaruar të pafajshëm në fjalimet e tyre të para në gjykatë.