Vaksinat në Kosovë, as në horizont

Vonesat në negociata, mostransparenca si dhe gjendja politike në Kosovë, vlerësohet se kanë ndikuar në mossigurimin e vaksinave kundër COVID-19 në Kosovë, në kohën kur pothuajse të gjitha shtetet në rajon kanë filluar vaksinimin.

Në Shqipëri tashmë ka filluar arritja e kontingjenteve të vaksinës së Pfizer-it pothuajse çdo javë, kurse në prill, siç ka paralajmëruar kryeministri, Edi Rama, pritet të arrijë kontingjenti i parë i 360.000 dozave të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it nga “një shtet mik”.

Maqedonia e Veriut po ashtu ka filluar vaksinimin me vaksinat e dhuruara nga Serbia, kurse Serbia tashmë u ka mundësuar qytetarëve të vetë të zgjedhin në mes katër vaksinave dhe ka vaksinuar mbi një milion njerëz.

Vaksinimi ka filluar edhe në Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia.

Derisa disa nga këtyre shtete kanë bërë negociatat direkte me kompanitë për të siguruar vaksinat, Kosova është në pritje të vaksinës së AstraZenecas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Më 5 janar, në një postim në Facebook, ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj pati konfirmuar sigurimin e 500,000 vaksinave kundër COVID-19 nga kompania farmaceutike Pfizer. Por, nga kjo kompani vazhdimisht kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se negociatat me Kosovën ende po vazhdojnë./rel/