Vitia paralajmëron mbylljen e çerdhes publike

Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) në Viti ka shqyrtuar sot gjendjen e pandemisë në këtë komunë, ku janë 27 raste aktive me Covid-19.

Me këtë rast u bë me dije se nga 15 korriku do të bëhet mbyllja e çerdhes publike “Gëzimi ynë “ në Viti, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të fëmijëve dhe shëndetit publik, në përgjithësi.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti kërkoi respektim rigoroz të masave. “Ne duhet të respektojmë masat mbrojtëse kundër virusit pandemik COVID-19, prandaj secili qytetar duhet të vendos maskën, të mbajë distancën dhe higjienën personale”, tha Haliti.

Ai tha se gjendja në Viti është nën kontroll dhe se komuna po vazhdon me dezinfektime dhe klorifikime të hapësirave të ndryshme.

Ndërkaq, komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiteni Afrim Halili tha se siguria është e mirë, por rreziku nga koronaviursi është gjithandej.

“Nga nesër ne do t`ua tërheqim vërejtjen qytetarëve të cilët nuk përdorin maska, pasi që po rrezikojnë shëndetin publik“, u shpreh kapiteni Halili.

Policia po kujdeset që edhe sektori i gastronomisë të respektojë vendimin që të mos punohet pas orës 21:00.