Vodhi tri dele, dy qura dhe 10 pula, ja sa u dënua nga gjykata

I akuzuari V.Q., është dënuar me 1 vit burgim dhe 900 euro gjobë, pasi ka pranuar se në muajt prill dhe maj 2016, në Komunën e Pejës, ka vjedhur tri dele, dy qura dhe 10 pula, në dëm të tre të dëmtuarve A.G., J.K. dhe B.Q.

Një vendim të tillë, e ka marrë gjykatësi i Gjykatës Themelore në Pejë, Murat Hulaj, më 15 tetor 2020, pasi i akuzuari e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare të 14 tetorit 2020, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për veprën penale nga dispozitivi i parë i aktakuzës, V.Q. është dënuar me 300 euro gjobë, për veprën penale nga dispozitivi i dytë me 300 euro, si dhe për veprën penale nga dispozitivi i tretë, me 1 vit burgim dhe me 300 euro gjobë.

Për të tri këto vepra, gjykata i ka shqiptuar dënim unik prej një viti burgim dhe 900 euro gjobë.

Ndërkaq, palët e dëmtuara në këtë rast, A.G., J.K. dhe B.Q., për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, janë udhëzuar në kontest civil.